121 afganë strehohen në hotele luksoze/ Mjekë dhe policë 24 orë në dispozicion (Video)

Refugjatët afganë të cilët mbërritën në vendin tonë mëngjesin e kësaj të premteje u akomoduan në struktura luksoze hotelerie në qytetin e Durrësit. Këta shtetas do të kenë shërbim special, pasi do të kenë ruajte 24 orë nga policia e shtetit dhe polici private, shërbim mjekësor apo dhe përkthyes të posaçëm. Në hotele luksoze do të strehohen refugjatë të cilët kanë pasur një status shoqëror të caktuar në Afganistan.

Durrësi u bë qyteti i parë që hapi dyert e dy hoteleve për strehimin e 121 refugjatëve afganë, që mbërritën mëngjesin e kësaj të premteje në aeroportin e Rinasit.

Pas kontrolleve mjekësore dhe procedurave të tjera ligjore që kryen në aeroportin e Rinasit, dy grupe me nga 60 qytetarë afganë, u akomoduan në dy hotele luksoze në qytetin bregdetar.

Për refugjatët e parë afganë, të cilët ishin kryesisht punonjës të Fondacionit Soros në Afganistan, janë krijuar kushte të mira akomodimi. Policia e shtetit dhe dy kompani private të sigurisë, mes të cilave dhe njëra që ruan kampin e muxhahedinëve në Manëz, do të garantojnë sigurinë e qytetarëve afganë në këto hotele.

Refugjatët afganë do të qëndrojnë vetëm brenda perimetrit të hotelit, dhe nuk do të lejohen të dalin jashtë tij. Për sigurinë shëndetësore të tyre do të angazhohet staf i posaçëm mjekësor, me autoambulanca që do të qëndrojnë në dispozicion 24 orë.

Për të lehtësuar komunikimin mes autoriteve shqiptare dhe refugjatëve por dhe partnerëve, janë angazhuar përkthyes të posaçëm. Ndërkohë, në strukturat hoteliere në qytetin e Durrësit do të vijojnë të akomodohen refugjatë afganë të cilët kanë pasur status të rëndësishëm shoqëror gjatë 20 viteve të fundit në vendin e tyre.

Pjesa tjetër e refugjatëve afganë, që pritet të vijnë në ditët në vij dhe mendohet se do të jetë një numër prej rreth 4 mijë personash, do të strehohen në konvikte, apo struktura të tjera akomoduese të përcaktuara nga qeveria. Refugjatët afganë do të strehohen në disa qytete të vendit, përfshirë Durrësin, Kavajën, Lezhën, Tiranën dhe Beratin.