13 frymë jetojnë me 220 euro në banesë të serbit! Lutja e kosovarit që kujdeset për 7 jetimët e vëllait

“Jam mbet përgjegjës i fëijëve të vëllait… por sigurisht edhe fëmijëve të mi. 13 vetë kemi mbijetuar, prej një rroge 120 euro. A jetohet me të? Jo, nuk jetohet.”

Kështu rrëfen për “Shqiptarët për Shqiptarët” Xhevat Maksuti, i cili ia del të mbijetojë me 13 pjesëtarët e familjes në kushte mjaft të vështira. Pas vdekjes së të vëllait nga ataku në zemër, barra për të mbajtur 7 nipat e mbesat i ka rënë atij.

“Bashkëshorti ndërroi jetë brenda 3 minutave! Vetë u rrit jetim… e tash m’i la mua 7 fëmijët jetimë”

Por veçse shqetësimit financiar, familja Maksuti përballet dhe me problemin e shtëpisë ku u strehuan sot e 22 vite më parë. Kjo banesë, e vjetëruar tepër nga pesha e kohës, mbetet ende në pronësi të serbëve. Jo të pakta kanë qenë herët, kur këta të fundit kanë dashur të nxjerrin jashtë shtëpisë familjes Maksuti.

“Shtëpia shihet se nuk është e pamjaftueshme, as për banim jo. Brenda një viti një organizatë serbe për mbrojtjen e pronave na ka ardhur 4-5 herë… sendet na i qitën përjashta bashkë me policë vinin, sikur ne të kishim bërë ndonjë krim. Vijnë edhe sot e bëjnë foto. Jemi me ankthin se një ditë do të na nxjerrin.”- rrëfen Xhevati.

Nisur nga historia e trishtë e familjes, banorët e Podujevës, janë sensibilizuar dhe i kanë blerë një pjesë toke për të ndërtuar shtëpinë. Xhevati e Farija i bëjnë thirrje gjithë shqiptarëve që t’i ndihmojnë sadopak për të ndërtuar shtëpinë e për të dalë njëherë e përgjithmonë nga prona e serbit.

“I kisha bërë thirrje Elvis Naçit, të gjithë shqiptarëve, nëse kanë mundësi të na bëjnë një shtëpi, familjes sime, e këtyre 7 jetimëve të vëllait.”-tha Xhevati.

“I kisha lut kush ka mundësi, veç një shtëpi për 7 jetimët e mi, asgjë tjetër nuk dua.”-tha Farija.