14-vjeçarja në Kukës denoncon babain: Ai më rreh çdo ditë!

Një 36-vjeçar është arrestuar së fundmi në Kukës pasi ka ushtruar dhunë fizike dhe psikologjike ndaj vajzës së tij të mitur. Ka qenë kjo e fundit që ka bërë denoncim në polici pasi dhuna e tij ishte e vazhdueshme dhe e përsëritur. Pas arrestimit dhe kontrollit në shtëpi, 36-vjeçarit me iniciale M.B i është gjetur një armë zjarri, një armë gjahu çifte, sasi municioni luftarak dhe disa fidanë të dyshuar narkotikë kanabis, të kultivuar në gota plastike.

Njoftimi i policisë Kukës:

Arrestohet në flagrancë 1 shtetas, për veprat penale “Dhuna në familje”, “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit” dhe “Kultivimi i bimëve narkotike”. Sekuestrohen një armë zjarri, një armë gjahu, municion luftarak dhe fidanë të dyshuar narkotikë.

Specialistët për Hetimin e Krimit në Komisariatin e Policisë Kukës arrestuan në flagrancë shtetasin M. B., 36 vjeç, banues në fshatin Lojme, Kukës, pasi ka bërë kallëzim vajza e tij 14 vjeçe, se ky shtetas ka ushtruar dhunë fizike dhe psikologjike ndaj saj, në mënyrë të përsëritur. Gjatë kontrollit të ushtruar në banesën e këtij shtetasi, shërbimet e Policisë kanë gjetur dhe sekuestruar në cilësinë e provës materilale, një armë zjarri, një armë gjahu çifte, sasi municioni luftarak dhe disa fidanë të dyshuar narkotikë kanabis, të kultivuar në gota plastike.

Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Kukës, për veprat penale “Dhuna në familje”, “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit” dhe “Kultivimi i bimëve narkotike”.