19-vjeçari vdiq në port nga mungesa e kushteve, Pirro Vengu harxhon 400 milionë për sigurinë kompjuterike Shkruar nga: M Gjini | Publikuar më: 22.04.2022, 20:39

Një ngjarje e cila i kalon kufijtë e normalitetit miq. Vetëm pak ditë më parë, një punëtor 19-vjeçar humbi jetën në Portin e Durrësit si pasojë e mungesës së sigurisë në punë. Rufan Belshakut iu këput jeta në mes për shkak të një manovrimi të pakujdesshëm të vinçit i cili e tërhoqi zvarrë duke i marrë jetën. Policia arrestoi për këtë ngjarje 3 persona, përkatësisht Rendi Biçaku me funksion përgjegjës turni, në firmën përpunimit të kontenierëve në portin e Durrësit, Nazmi Varaku me funksion manovrator i makinerisë dhe Bledar Troplini me funksion kryemekanik i ofiçinës. Arrestimi i tyre u krye për shkak të moszbatimit të rregullave të mbrojtjes në punë.

Por për habi, në vend që të merrte masa të menjëhershme për të identifikuar arsyet se përse mungonin masat e sigurisë, apo të shtonte sigurinë për jetën e punëtorëve, Pirro Vengu bëri diçka tjetër. Harxhoi plot 400 milionë lekë të vjetra me TVSH për sigurinë kompjuterike… Dhe këtë e ka bërë nëpërmjet një tenderi të dyshimtë, ashtu si thuajse të gjitha tenderat e realizuara nga Autoriteti Portual Durrës.

Bëhet fjalë për tenderin me numër reference REF-21853-03-11-2022 dhe me objekt “Kontrata e mirëmbajtjes së sistemeve të sigurisë për 3 vite”, me fond limit 32,400,000 lekë të reja pa TVSH. Duke studiuar dokumentacionin etenderit shikohet se në të kanë marrë pjesë vetëm dy firma, me oferta tepër të ngjashme me njëra-tjetrën. Pra kemi të bëjmë me cungim konkurrence dhe dyshime të forta për paracaktim fituesi, ide e përforëcuar nga diferenca tepër e vogël e dy ofertave. Fituese është shpallur firma AES communication Shpk në pronësi të Jani Angjeli. Oferta fituese ndërkaq rezulton të jetë sa 99.46% e fondit limit, duke i rritur dyshimet për tender të manipuluar, akoma më tepër.