19-vjeçarja që synon të jetë pilotja më e re femër në botë

Udhëtimi i saj do të zgjasë 3 muaj me ndalesa në 52 shtete

Vetëm 19 vjeçe, por ajo po niset për të përshkruar gjysmën e qiellit të botës. Zara Rutherford dëshiron të jetë pilotja më e re femër në botë. Ajo ka një pasion tepër të veçantë, atë të udhëtimeve me aeroplan.

Zara e trashëgoi këtë pasion për aeroplanët nga familja e saj, të cilët janë të gjithë pilotë. Ajo filloi të bënte fluturimet e para kur ishte vetëm në 14 vjeç dhe mori licencën e pilotes gjatë vitit të kaluar.

“Është një ëndërr që e kam patur gjithë jetën time, të fluturoj me një aeroplan nëpër botë, ishte thjesht një ide e çmendur dhe gjithmonë mendoja se do të ishte e pamundur. Por pastaj vendosa se nëse nuk i tregoja askujt për këtë, atëherë nuk do të ndodhte kurrë. Kështu u thashë prindërve të mi dhe, ata thanë ‘po, le ta bëjmë këtë’. Me vëmendjen e mediave që kam marrë, shpresoj të inkurajoj vajzat dhe gratë të merren më shumë me aviacion, shkenca, teknologji, inxhinieri dhe matematikë”, u shpreh ajo.

Rruga e Rutherford do të zgjasë rreth tre muaj, me ndalesa në 52 vende, përfshirë Greenland, Kinë dhe Nikaragua, ku ajo do të qëndrojë me familjet vendase ose në hotele. Itinerari i saj është zgjedhur për të përmbushur kërkesat e rekordeve Guinness për të qenë një “fluturim në të gjithë botën”.

E reja shprehet se sfida e vetme për të janë vendet e largëta si Rusia veriore ose Grenlanda. Mbajtësja aktuale e rekordeve femra është amerikania Shaesta Waiz, e cila ishte 30 vjeç kur ndërmori sfidën e saj në vitin 2017.

Klan News