36-vjeçari vdiq nga mbidoza, arrestohet shoku që fshehu trupin e vdekur

Detaje të reja janë zbardhur në lidhje me vdekjen e 36-vjeçarit Ilir Marku i cili u gjet i vdekur në një bunker në Institut, Tiranë. Në lidhje me këtë ngjarje është arrestuar, Mariglen Isufi, shoku i Markut pasi akuzohet për “fshehje të kufomës”. Mësohet se ditën e ngjarjes, Ilir Marku dhe shoku i tij 28-vjeçar kanë qenë duke konsumuar lëndë narkotike në një fushë me bar në Institut kur Marku nga mbidoza ka humbur ndjenjat. Në këtë moment, Mariglen Isufi është larguar nga vendi i ngjarjes duke e lënë shokun e tij vetëm.

Ditën e nesërme kur ai është rikthyer sërish në fushën ku kishin konsumuar lëndë narkotike ka parë Ilrin e vdekur. Ai e ka tërhequr zvarrë trupin e pajetë për 10 apo 15 metra dhe më pas e ka futur në brendësi të bunkerit, duke e mbuluar me kartona. Pasi vëllai i Markut e ka shpallur të zhdukur Ilirin dhe ka treguar se ai konsumonte lëndë narkotike, policia ka shtuar kërkimet deri sa ra në gjurmët e tij. Pas veprimeve operative u identifikua edhe Mariglen Isufi, i cili pas arrestimit u tha hetuesve se nuk bëri denoncim në polici pasi kishte pasur frikë