A mund t’i tërheq AMERIKA në të ardhmen trupat edhe nga Kosova?

Gjithçka që ka ndodhur në Afganistan ditëve të fundit si pasojë e tërheqjes ushtarake amerikane ka nxitur debat global. Në Prishtinë ka pasur reagime më specifike shkaku i pranisë ushtarake të SHBA-së që nga lufta e fundit.

Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë vendosur që të tërhiqen ushtarakisht nga Afganistani. Kjo ka bërë që talibanët të zaptojnë çdo institucion e qytet, derisa afganët, që kanë bashkëpunuar për më shumë se dy dekada me amerikanët, kanë marrë arratinë nga frika e hakmarrjes. Një numër i madh i shteteve, përfshirë Kosovën e Shqipërinë kanë pranuar që t’i strehojnë përkohësisht ata që po ikin, gjë që është përshëndetur nga Washingtoni zyrtar.

Përveç për pranimin e refugjatëve, Kosova në gjithë debatin e nxitur në vend është përmendur edhe si krahasim me Afganistanin, për shkak të prezencës së forcave amerikane. Disa thonë se s’mund të tërhiqen paralele mes Kosovës dhe Afganistanit, derisa të tjerë kanë rikthyer debatin për tërheqjen e mundshme ushtarake të amerikanëve nga Kosova dhe asaj që potencialisht do të mund të ndodhte si pasojë.

Por a ndërlidhen këto dy situata mes vete dhe a mundet që SHBA’ja në të ardhmen t’i tërheq trupat edhe nga Kosova?

Lidhur me këtë për Gazetën Express ka folur eksperti amerikan dhe profesori i Johns Hopkins University, Daniel Serwer. Ai thotë se ka një lidhje vetëm sipërfaqësore mes dy situatave, derisa liston dallimet e mëdha.

Serwer thotë se kosovarët do të donin që amerikanët të qëndronin për kohë të pacaktuar në Kosovës, ndryshe nga afganët që s’kishin shumë tolerancë ndaj amerikanëve.

“Ato janë të nërlidhura vetëm në mënyrë sipërfaqësore. Trupat e SHBA’së kane qënë gjithmonë të mirëseardhura në Kosovë, të cilës i mungonte një ushtri. Shumë kosovarë (shqiptarë, serbë dhe komuniteti të tjera) do të donin që ata të qëndronin për një kohë të pacaktuar. Ky nuk ishte rasti në Afganistan, i cili kishte ushtrinë e vetë dhe shumë pak tolerancë për praninë amerikane”, ka thënë Serwer.

Ekperti amerikan tutje thotë se gjerat kanë shkuar aq keq me tërheqjen në Afganistan sa që do të habitej nëse dikush do të propozonte një tërheqje trupash në ndonjë vend tjetër në të ardhmen e afërt.