Absurdi s’ka fund në Shqipëri/ Polici bën manovra të rrezikshme me Jet-Ski në breg, kolegu e filmon për instagram

Jo more vëlla, nuk bëhet më ky vend. Nuk ka mundësi të jetojmë në një shtet ku absurdi është pjesë e jetës së përditshme në mënyrë kaq të pabesueshme. Vetëm dje një tragjedi e ardhur vetëm për shkak të mos-zbatimit të ligjit nga një polic, solli një ndër tragjeditë më të mëdha të plazheve në vend.

Por a e dini vallë se si e lufton policia fenomenin e “protagonizmit” me jet-ski në breg të detit? Duke marrë masat? Jo more zotëri, jo. Eh, sikur të ishte ashtu. Por, jo! Në vend që policia të zbatojë ligjin e të marrë masa për individët që rrezikojnë jetët e pushuesëve në breg të detit, e dini se ç’ndodh? Vetë policia ia hipën Jet-Ski-së dhe bën manovra të rrezikshme mu në breg të detit.

Prisni, prisni se absurdi nuk mbaron këtu. Manovrat në fjalë e dini me çfarë mjeti po bëhen? Me një Jet-Ski që shkruan “Policia”. Pra polici po bën manovra brenda bovave kufizuese, pak metra larg bregut, me një Jet-Ski me logo të Policisë së Shtetit. A ka më keq se kaq? Jo, ndoshta do thoni ju.

Por ne do t’ju themi qe gaboheni. Po, gaboheni, pasi absurdi ende nuk ka mbaruar. Kolegu i policit, i veshur me uniformen e Policisë së Shtetit jo vetëm që nuk e ndalon, po filmon “trimin” se si jep spektakël në det me Jet-Skinë e Policisë së Shtetit, duke shkelur çdo ligj e rregull të mundshëm. E në këtë rast, sinqerisht nuk dimë se cili duhet të japë dorëheqjen më parë?