Aksident tragjik në Korçë, makina përplas për vdekje këmbësorin

Një aksident i rëndë ka ndodhur mbrëmjen e sotme në Korçë. Raportohet se një automjet ka përplasur për vdekje një këmbësor në aksin nacional Korçë-Bilisht, pranë fshatit Cangonj. Sipas informacioneve paraprake të policisë, viktima ishte rreth 50-vjeç. Mësohet se aksidenti është shkaktuar nga një automjet me targa greke.

Njoftimi i policisë:

Devoll/Informacion paraprak Më datë 23.04.2022, rreth orës 20:25, në aksin nacional Korçë-Devoll, në afërsi të vendit të quajtur “Ura e Progrit”, shtetasi A. K., duke drejtuar mjetin tip “Opel”, ka aksidentuar këmbësorin A. H., rreth 50 vjeç, banues në fshatin Vranisht, Devoll, i cili për pasojë ka ndërruar jetë. Drejtuesi i mjetit u shoqërua në Komisariat për veprime të mëtejshme. Grupi hetimor po punon për sqarimin e rrethanave dhe përcaktimin e shkakut të aksidentit.