“Armiqtë të mendohen dy herë”/ Putin teston raketën më të fuqishme “Satan 2”

Rusia ka testuar me sukses një raketë të re balistike bërthamore ndërkontinentale, ndërsa Vladimir Putin paralajmëroi armiqtë e Kremlinit që të “mendohen dy herë” për kërcënimin e vendit të tij. Ministria ruse e Mbrojtjes konfirmoi se raketa e saj Sarmat u lëshua të mërkurën nga objekti i lëshimit në Plesetsk në veri të vendit.

Duke iu drejtuar ushtrisë në nisje, Putin tha: “Kjo armë vërtet unike do të forcojë potencialin luftarak të forcave tona të armatosura, do të rrisë sigurinë e Rusisë nga kërcënimet e jashtme dhe do t’i bëjë ata që përpiqen të kërcënojnë vendin tonë të mendohen dy herë.”

Putin pretendoi se raketa, e quajtur “Satan II” nga analistët perëndimorë, ka karakteristikat më të larta taktike dhe teknike dhe është e aftë të tejkalojë të gjitha mjetet moderne të mbrojtjes kundër raketave.

Raketa që mund të përshkojë mbi 13 mijë kilometra dhe ka kapacitetin për të mbajtur deri në 13 bomba atomike brenda saj, sipas kanaleve zyrtare është testuar me sukses, duke nisur nga baza e Plesetsk dhe duke arritur disa minuta më vonë objektivat në gadishullin e Kamçatkës, në ekstremin lindor, jo larg Japonisë. Testimi i raketës Sarmat përbën ndërkohë një sinjal direkt për Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe vendet e NATO-s që po furnizojnë Kievin me armë.