Atentat me vrasje në Milot/ Zbardhen detaje të reja nga masakra, si lidhet ngjarja me vrasjen e trefishtë në Fushë Krujë

Një tjetër atentat u bë mbrëmjen e djeshme ndaj 46-vjeçarit Ylli Brahimi, i cili mbeti i plagosur rëndë me plumb në gjoks dhe në këmbë.

Ai po lufton me jetën në spital, ndërsa në familjen e fqinjit të tij Klisman Preçi janë hapur dyert e mortit. 28-vjeçari nuk mundi t’i mbijetonte plagëve të marra në atentat dhe ndërroi jetë në spital.

Edhe për të ky ishte atentati i dytë. Në maj të këtij viti teksa ishte duke udhëtuar me kushëririn e tij Blerim Preçin, persona të pa identifikuar i qëlluan, por dalja e mjetit nga rruga i shpëtoi pa u lënduar.

Atentati ndodhi rreth orës 21:00 në qendër të Milotit, pranë banesës së objektivave në sy të shumë dëshmitarëve dhe nën objektivin e kamerave të sigurisë.

Atentatorët që dyshohet se ishin tre persona, një në rolin e shoferit dhe dy vrasës me kallashnikovë. Ata lëviznin me një mjet tip “Audi” me targa rumune dhe gjurmuan objektivat e tyre deri në sheshpushimin e pallatit dhe qëlluan drejt tyre sapo ata zbritën nga mjeti.

Atentatorët ishin të maskuar me skafandra në kokë dhe veshje të zeza.

Rrugën e sheshpushimit e bllokuan me mjetin e tyre dhe u afruan në këmbë deri tek mjeti i blinduar duke mos u lënë asnjë mundësi reagimi Ylli Brahimajt dhe Klisman Peçit.

Polici mbërriti në zonë kur gjithçka kishte mbaruar dhe të plagosurit ishin dërguar nga të afërmit në spital .

Policia dyshon se vrasja e 28-vjeçarit dhe plagosja e Ylli Brahimajt lidhet me atentatin e së dielës në mbikalimin e Fushë-Krujës, ku mbeti viktimë Brilant Martinaj, Dikler Vata e Besmir Hoxha.

Dyshimet lidhen me miqësinë që viktimat kanë me të shpallurin në kërkim Ervis Martinaj.

Edhe mënyra e zgjedhur nga atentatorët është e ngjashme. Autorë të maskuar qëllojnë me kallashnikovë me dhjetëra plumba e më pas braktisin armët dhe mjetin nën flakë dhe largohen në drejtim të paditur.

Hetime po kryen dhe për të shkuarën kriminale jashtë vendit të 46-vjeçarit si dhe ndonjë konflikt të nisur ditët e fundit.