Atentati ndaj kushëririt të “kumbarit”, autori i zbrazi një karikator pistolete dhe u largua me motoçikletë

Detaje të reja janë zbardhur në lidhje me atentatin ndaj Dedë Pllanajt mbrëmjen e kaluar në Dobraç të Shkodrës. Mësohet se në drejtim të 60-vjeçarit, autori ka zbrazur një karikator pistolete dhe plumbat e kanë prekur në brinjë, dorë dhe këmbë. Menjëherë pas atentatit, Pllanaj është dërguar në spitalin e Traumës dhe aktualisht e ka kaluar rrezikun për jetën. Ndërkohë autori që ka kryer atentatin ka qenë i vetëm dhe me një motoçikletë. Ai është afruar, ka zbritur nga motomjeti dhe në një distancë rreth tre metra ka qëlluar drejt 60-vjeçarit Pllanaj. Menjëherë më pas është larguar në drejtim të rrugës së Koplikut.

Por në rrugën nga ku ai është larguar ka shumë rrugica dhe kapja e tij bëhet e pamundur. 60-vjeçari Pllanaj është roje karburanti dhe nuk njihet si person problematik, por ka dyshime se ngjarja e djeshme mund të ketë lidhje me kushëririn e tij Bardhok Pllanaj i njohur si “kumbari” i cili u vra në prill të vitit të kaluar.