Bashkia Shijak bën tenderin e asgjësimit të pulave me grip, fitues shpallet një restorant

I erdhëm dhe kësaj dite miq! Shpesh dyshohej se deri diku kishte mundësi që shpendët e ngordhura nga Gripi i Pulave në vend që të groposeshin siç e këkon ligji, kishin përfunduar në fakt në ndonjë fabrikë përpunimi mishi apo restorant. Por që kjo të faktohej nëpërmjet një tenderi, vështirë se do ta kishim imagjinuar.

Por e bardha mbi të zezë rezulton se Bashkia Shijak e drejtuar nga Elton Arbana ka shpallur fitues për asgjësimin e pulave të ngordhura një restorant. Besoj është e kuptueshme se ku “do të groposen” kufomat e pulave të gjora. E shpjeguar në mënyrë konkrete, bëhet fjalë për tenderin me numër reference REF-24501-04-08-2022 dhe me objekt “Shërbim transporti dhe dezenfektimi për groposjen dhe eliminimin e shpendëve të prekur nga Influeca Aviare”.

Fondi limit i tij është 1,000,000 lekë të reja. Fituese është shpallur kompania HOREAL Expo Group. Por nëse i hedhim një sy objketit të veprimtarisë së subjektit, mbetesh pa frymë… Bëhet fjalë për një veprimtari në Agro – Turizëm, Restorant, Bujtina. Ushtrim aktiviteti shërbim dhe akomodim, sherbime restoracioni dhe hotelerie si bare, restorante, snak bar, hoteleri, katering. Doni më për “Belulin”?