Biznesi me varrezat e Tufinës: E moshuara pagoi 500 mijë lekë për varrin e saj dhe të burrit, zyrtarët do zhvarrosnin të tjerët

Para pak ditësh u njoftua se Eliodor Ndini, drejtori i Agjencisë së Shërbimeve Funerale në bashkinë Tiranë është arrestuar pasi akuzohet për korrupsion dhe shpërdorim detyre. Drejtori në bashkëpunim me disa persona të tjerë kërkonin nga qytetarët 300 deri 500 mijë lekë të vjetra për të siguruar një vend varrimi në varrezat e Tufinës. Së fundmi në media është zbuluar një rast abuzimi i kallëzuar nga 81-vjeçarja Mediha Sula, e cila do të blinte vendin e varrit për vete dhe bashkëshortin e saj për 500 mijë lekë të vjetra.

Për sigurimin e dy vend-varrimeve, zyrtarët e Tufinës i kishin premtuar të moshuarës se kjo do realizohej pas zhvarrosjes së dy personave që kanë qenë varrosur aty më herët por tani do të vendosesish në varrezat murale. E moshuara Mehida Sula është takuar me një person me emrin Bujar, i cili sipas saj ishte shofer te varrezat e Tufinës. Bujari e ka lidhur 81-vjeçaren me një person me emrin Adi i cili ishte përgjegjës për punët. Pasi Mediha Sula ka biseduar me Adin, së bashku me atë, Bujarin dhe bashkëshortin kanë shkuar te varrezat. Kur kanë shkuar atje, Adi dhe Bujari i kanë treguar çiftit të të moshuarve dy varre duke iu thënë se aty ka kufoma por sipas planit të tyre kufomat do hiqeshin në këmbim të shumës 500 mijë lekë të vjetra. Zyrtarët e Tufinës iu kanë thënë të moshuarve:

Do ta rregullojmë me bordurë sipër, do të shkruaj edhe emrat dhe do e mbarojmë këtë punë, pasi të më japësh 500 mijë lekë të vjetra.
Në dhjetor të vitit 2019, pasi të moshuarit kanë marrë shpërblimin e Vitit të Ri dhe kanë mbledhur kursimet i kanë dorëzuar Bujarit 500 mijë lekë të vjetra për dy varre. Por pas 6 muajsh Medihaja ka zbuluar se premtimi nuk është mbajtur nga personat të cilët morën paratë, pasi këta persona vetëm bënin biznes me varret dhe lekët e njerëzve.