Boksieri shqiptar kap në grushta hajdutin që tentoi t’i vidhte “Mercedesin Brabus”

Boksieri shqiptar Senad Gashi, ish-kampioni i botës dhe i Evropës në peshën e rëndë është përballur me një vjedhje para pak ditësh. Mediat gjermane bëjnë me dije se boksieri shqiptar ishte duke dalë nga një shisha bar në Hamburg kur pa se një hajdut po përpiqej t’i vidhte makinën Mercedes Brabus.

Por hajduti mesa duket nuk e dinte se Mercedesi luksoz i përkiste një boksieri me përvojë. Me ta parë hajdutin, boksieri 32-vjeçar e rrëzoi në tokë dhe e goditi me shkelma.

Kalimtarët kanë lajmëruar policinë dhe katër makina patrullimi shkuan në vendngjarje. Zyrtarët kërkuan një ambulancë për hajdutin por ai nuk pranoi ndihmë mjekësore. Tani boksieri shqiptar po hetohet për sulm dhe ende nuk ka dhënë asnjë koment për incidentin me të cilin u përball.