Boti Edhe varrimi i të vdekurve pritet të shtrenjtohet për 20 euro më shumë

Bashkësia Islame i ka kërkuar Komunës së Vushtrrisë që të bëhet ngritje e çmimit për kryerjen e shërbimeve të varrimit.

Kjo, sipas tyre për shkak të gjendjes së rënduar ekonomike dhe ngritjes së çmimeve në pothuajse çdo artikull.

Në letrën që Bashkësia Islame në Vushtrri i ka dërguar Komunës së Vushtrrisë thuhet ndër të tjera se, “duke marrë parasysh rrethanat e reja, respektivisht gjendjen gjithnjë e më të rënduar ekonomike, për shkak të së cilës janë ngritur çmimet në pothuajse çdo artikull, kërkojmë nga Kuvendi Komunal që mundësisht ta rishikojë memorandumin dhe të bëjë një ngritje
së paku edhe për 20 (njëzet) euro”.

Komuna e Vushtrrisë dhe Këshilli i Bashkësisë Islame në Vushtrri kanë të lidhur një memorandum mirëkuptimi për kryerjen e shërbimeve të varrimit për besimtarët myslimanë të kësaj komune.

Sipas marrëveshjes, shuma që komuna ofron për mbulimin e shpenzimeve për varrim është në vlerë të 180 (njëqind e tetëdhjetë) euro.