Çifti çek dhe vajza e tyre 6-vjeçare rrezikojnë mbytjen në Palasë, qytetarët i shpëtojnë me “jet-ski” dhe gomone

Një çift çek dhe vajza e tyre e mitur kanë rrezikuar mbytjen ditën e sotme në Palasë. Në media thuhet se çifti bashkë me vajzën 6-vjeçare gjatë drekës kishin dalë për shëtitje me kanoe. Por për shkak të erës së fortë kanoeja e tyre u zhvendos në det të hapur dhe ata mbetën 3.5 milje në det në pamundësi për t’u kthyer pas.

Pas 1 orë kërkimesh në det të hapur, turistët janë shpëtuar nga dy qytetarë me mjetet e tyre lundruese. Mësohet se qytetarët me “jet-ski” dhe gomone kanë nxjerrë shëndoshë e mirë turistët nga deti.

Njoftimi i policisë:

Palasë, Dhërmi

Policia Kufitare në Dhërmi në bashkëpunim me 2 qytetarë me mjete lundruese private, u erdhi në ndihmë 3 turistëve të huaj të cilëve iu rrezikua jeta, si pasojë e dallgëve të detit.

Policia Kufitare në Dhërmi, pas marrjes së njoftimit nga Salla Operative në DVP Vlorë, se në Palasë, Dhërmi, tre turist të huaj të cilët ishin duke lundruar në det me 1 mjet lundrues “Kayak”, po rrezikoheshin dhe e kishin të pamundur të ktheheshin në breg, për shkak të rrymave të forta dhe dallgëve të detit, menjëherë kanë nisur kërkimet.

Pas 1 orë kërkimesh, falë bashkëpunimit të punonjësve të policisë kufitare me 2 mjete lundruese private, 1 jetski dhe 1 gomone, është bërë e mundur konstatimi i mjetit lundrues “Kayak” dhe shpëtimi i sigurt i personave. Tre turistët e huaj Çekë (dy bashkëshortët dhe vajza e tyre), nuk kanë probleme dhe janë në gjendje të mirë shëndetësore.