Derisa kundërshtohet shkuarja e Bregoviq në Shqipëri, sonte në Kosovë performon “bendi më çetnik serb”, “Riblja Corba”

Ka javë që në Kosovë është bërë temë një ftesa për një paraqitje në Korçë të Shqipërisë e artistit serb Goran Bregoviq.

Derisa shpreheshin kritika e shumë artistë nga Kosova janë tërhequr nga ai koncert, këtë të enjte në Leposaviq – komunën më veriore të Kosovës, do të paraqitet grupi “Riblja Corba”.

Drejtori i Përgjithshëm i Klan Kosova, Adriatik Kelmendi, duke treguar se kush është ky grup muzikor, e ka cilësuar atë si “bendi më çetnik që mund të gjindet!”.

“Këngët e këtij bendi jo vetëm që janë dëgjuar nga serbët që vinin për të bërë ma sakra, ose që përdoreshin për të kundërshtuar bombardimet e NATO-s (“Avion do të t’i thyej krahët”), por edhe përqeshnin shtetin e Kosovës dhe politikanët kosovarë. Frontmeni, Bora Gjorgjeviq, e kishte quajtur disa herë Kosovën shtet i trilluar.

“Zgjedhjet që po mbahen atje në thelb e legalizojnë shtetin e Kosovës. Ai shtet nuk ekziston , ai shtet është i trilluar. Nuk përzihem në punët e atjeshme sepse unë nuk jetoj në Kosovë. Qëndrimi i partisë sime është i drejtë nuk duhet të dilet në këto zgjedhje sepse kështu legalizohet shteti i shqiptarëve”, pati thënë Gjorgjeviq më 2013”, ka shkruar Kelmendi në llogarinë e tij në Facebook.

“I njëjti sonte në Leposaviq të “shtetit të trilluar”, vjen për koncert. Si bën që pamë aq shumë reagime për Goran Bregoviqin në Korçë të Shqipërisë, e s’po shohim thuajse asnjë për “Riblja Corba” në Leposaviq të Kosovës?”.

Kelmendi ka pyetur se si është lejuar ky koncert nga institucionet e Kosovës, derisa bëhej thirrje që institucionet e Shqipërisë ta anulojnë koncertin e Bregoviqit.

“Ose, a po e konsiderojmë Leposaviqin pjesë të Kosovës apo jo?! Një situatë absurdi, por që në fakt është tragji-komike!”, ka përfunduar ai.