




Edhe pse ende nuk ka dalë një ekspertizë përfundimtare lidhur me aksidentin tragjik me 5 të vdekur, të ndodhur në Qafë-Muzinë, në rrjet janë shpërndarë disa versione të shkaqeve të përplasjes fatale.
Në një debat në rrjetet sociale, është përfshirë edhe Drejtori i Drejtorisë e Përgjithshme të Shërbimeve të Transportit Rrugor, Blendi Gonxhe. Teksa qytetarë të shumtë komentonin për dhënien e patentave, Blendi Gonxhe, nuk ka hezituar që të publikojë patentën e vajzës e cila udhëtonte me mjetin tip “Land Rover” dhe që u përplas me furgonin ku ishin viktimat.





Gonxhe heq përgjegjësinë nga institucioni që ai drejton dhe nga Ministria e Infrastrukturës, duke thënë se patenta e vajzës është dhënë nga autoritetet italiane. Pavarësisht se patenta është një dokument me të dhënat personale të personit posedues, Gonxhe e ka nxjerrë atë publikisht në mënyrë që të shmang akuzat që vinin ndaj tij dhe ndaj ministres Belinda Balluku. Komentuesit më tej i kanë tërhequr vërejtje Gonxhes për publikimin e patentës së vajzës, por ai është justifikuar duke thënë se patenta kishte disa orë që qarkullonte në rrjet.