Dy të miturit 16 dhe 17 vjeç u plagosën rëndë në punë/ Punonin tek magazina e MEGATEK-ut

Ditën e sotme, policia e Tiranës, njoftoi plagosjen e dy të miturve që punonin në një qendër tregtare. Bëhte fjalë për dy djem, 16 dhe 17 vjeç. Ata ishin të punësuar nga përgjegjësi i punimeve për qendrën tregtare. Ky i fundit është arrestuar.

Ndërkohë, burime për JOQ ALBANIA bëjnë me dije se ngjarja ka ndodhur tek qendra tregtare MEGATEK.

Gjithashtu, JOQ mëson se djemtë e mitur kanë marrë dëmtime në shtyllën kurrizore dhe në gjoks.

Dy të miturit punonin në magazinën e Megatek dhe aksidenti ka ndodhur për shkak të lëvizjes së gabuar të pirunit që merret me transportimin e pakove. Nuk dihet konkretisht puna që bënin të miturit dhe sa orë, pasi duke qenë ende nën moshë duhet të punojnë me orë të reduktuar dhe jo punë të rënda.

Lidhur me ngjarjen, JOQ kërkoi edhe një sqarim nga qendra tregtare, por deri më tani nuk ka asnjë reagim.