E FUNDIT/ Lija e Majmunit në Shqipëri, Mblidhet Komiteti i Ekspertëve! Gati plani i masave parandaluesese

Komiteti i Ekspertëve për Parandalimin dhe Kontrollin e Lisë së Majmunit është mbledhur sot në Ministrinë e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale për të diskutuar në lidhje me një plan masash për parandalimin e përhapjes së virusit, pas shpalljes si emergjencë shëndetësore nga Organizata Botërore e shëndetësisë.

Sipas Ministres Ogerta Manastirliu tashmë ka përfunduar drafti i parë i masave, ndërsa pranë ISHP janë 3250 teste në dispozicion.

“Tashmë drafti i parë i planit të masave ka përfunduar. Pavarësisht se Shqipëria është një vend që hyn në vendet e nivelit të parë, pra konsiderohet me një risk të ulët, masat tona dhe përgatitja jonë do të jetë e plotë në mënyrë që të fuqizojmë kapacitetet tona.

Ajo çfarë ne kemi bërë në parapritje edhe të këtij vendimi të Organizatës Botërore të Shëndetësisë është që kemi fuqizuar kapacitetet tona në laboratorin e virologjisë në Insitutin e Shërndetit Publik. Aktualisht kanë mbërritur në Institut përgjatë kësaj periudhe 3250 teste për identifikimin dhe diagnostikimin e lisë së majmunëve.”- deklaroi Manastirliu.

Vendi ynë është një vend me rrezikshmëri të ulët për përhapjen e Lisë së Majmunit, por ndërsa ditën e djeshme, OBSH ka aktivizuar në nivelin e saj të lartë alarmin në lidhje me shpërthimin e lisë së majmunëve, duke shpallur këtë virus një emergjencë të shëndetit publik me shqetësim ndërkombëtar.