Ekskluzive/ 30 milion euro koncesion pronarit të CMA-CGM që vinçi të vrasë punëtorët e portit Durrës

Ngjarja e rëndë që ndodhi dje ku 19-vjeçari Rufan Belshaku humbi jetën në mënyrë tragjike duke u tërhequr zvarrë nga vinçi, na sjell ndërmend një megaskandal tenderash. Bëhet fjalë për plot 30 milionë euro që Autoriteti Portual Durrës i drejtuar nga Pirro Vengu, i ka dhënë një kompanie të dyshimtë në Maltë të quajtur “HILI COMPANY LIMITED (LTD)”.

Tenderi u konsiderua nga Joq Albania një çmenduri e vërtetë në artikullin tonë denoncues të datës 05.01.2021. Kjo pasi shërbimi i menaxhimit dhe operimit të terminalit të konteinerëve në Portin e Durrësit u dha me koncension për 5 vjet tek një operator privat. Po kush fshihet pas kompanisë “HILI COMPANY LIMITED (LTD)”? Nga të dhënat zyrtare që gazetarët e JOQ morën në Maltë, rezulton se kompania drejtohet nga 3 shtetas maltezë të quajtur MARIN HILI, EDWARD HILI dhe MICHELA BORG.

Gjithashtu nga hetimet e redaksisë, u mësua se kompania fituese e tenderit, është gjithashtu aksionere e degës së CMA-CGM në Maltë. Pra e thënë më thjesht, kompania së cilës Pirro Vengu, drejtori aktual i Autoritetit Portual Durrës i dha 30 milionë euro, është gjithashtu edhe pronare e kompanisë së transportit të kontejnerëve CMA-CGM në Maltë, e quajtur CMA CGM MALTA AGENCY LTD. Ndërkaq si aksioner i CMA-CGM në Shqipëri figuron kompania e transportit PELIKAN SHPK e cila zotëron 40% të aksioneve të filialit shqiptar CMA-CGM SHPK.

Terminali i konteinerëve aktualisht administrohet nga një kompani bijë e ”Hili Company limited”, e quajtur ”Mariner Adriatik”, themeluar në shkurt 2021 me seli në Durrës dhe origjinë kapitali malteze nga shoqëria mëmë. Administrator të kompanisë ”Mariner Adriatik” rezultojnë Gentian Çomo dhe ARTIS PUGACS.

Ndërkaq rezulton se tre personat e arrestuar ditën e sotme nga policia, Rendi Biçaku me funksion përgjegjës turni, në firmën përpunimit të kontenierëve në portin e Durrësit, Nazmi Varaku me funksion manovrator i makinerisë dhe Bledar Troplini me funksion kryemekanik i ofiçinës, kanë qenë deri 1 vit më parë të gjithë punonjës të Autoritetit Portual Durrës, me paga nga 1 milion deri në 1.5 milionë lekë të vjetra. Ky fakt ngre dyshime të tjera në lidhje se kush i ka marrë realisht 30 milion eurot e këtij tenderi. I takon SPAK të fillojë menjëherë hetimet për këtë mega skandal prej 30 milion eurosh që i mori jetën një 19-vjeçari duka ia ndërprerë ëndërrat në mes. Pra ndonëse janë paguar 30 milion euro, asnjë masë për sigurinë e punëtorëve nuk zbatohet.