Elis Suçi që grabiti Postën Shqiptare në Kamëz dyshohet si vrasës me pagesë

Elis Suçi, 30-vjeçari që grabiti me armë Postën Shqiptare në Kamëz, dyshohet nga policia si vrasës me pagesë.

Burime nga policia bëjnë me dije për mediat se i riu mund të jetë paguar nga anëtarë të grupeve kriminale për të kryer vrasje.

Për këtë arsye, hetuesit po kryejnë veprime për ngjarjet që nuk janë zbardhur ende gjatë vitit 2021, periudhë që korrespondon me daljen e tij nga burgu.

Kujtojmë se pistoleta që iu gjet ditën e djeshme me vete gjatë arrestimit, u dërgua në laborator për të parë nëse është përdorur në ndonjë ngjarje.

Suçi ishte në kërkim edhe për disa grabitje të tjera të ndodhura në Kamëz gjatë muajve të fundit, ndërsa gjatë kësaj kohe ai rrinte në hotele të ndryshme në zonën e Medresesë.

Në lidhje me ngjarjen në Kamëz në pranga është vënë edhe bashkëpunëtori i tij në grabitje, 20-vjeçari me iniciale A.K. për të cilin gjykata caktoi arrest me burg.