Elvis Naçi: E kam falur Kastriot Myftarajn për ato që ka thënë për mua

Imami dhe bamirësi i njohur Elvis Naçi ka folur së fundmi për vdekjen e gazetarit dhe analistit Kastriot Myftaraj i cili u hodh nga kati i katërt i banesës ku jetonte për shkaqe që ende nuk dihen. Naçi gjatë një komunikimi me ndjekësit e tij në rrjetet sociale tha se Myftaraj ka qenë një gazetar që ka folur keq ndaj kulteve fetare duke thënë se Meka e Medina do shkatërrohen.

Kastriot Myftaraj ka qenë një gazetar që në të vëretë ka folur keq ndaj kulteve fetare dhe besimit në Zot. Unë jam ndoshta nga më kryesorët që ai ka sharë, ka shkruajtur lloj-lloj akuzazh e gjërash që ishin të çuditshme. Por gjithsesi vjen një ditë që të gjithë do shkojmë te Zoti prandaj këto ngjarje që ndodhin duhet të na bëjnë më të kujdesshëm, sepse njeriu mund të thotë që shkatërrohet Toka, njerëzimi, Meka e Medina por harron se një ditë do jap shpirt dhe do shkojë te i madhi Zot.
Duke u ndalur te akuzat që Myftaraj ka hedhur ndaj tij, imami Elvis Naçi tha se pavarësisht të gjithave ai e ka falur dhe ia ka bërë hallall. Pasi sipas tij, Myftaraj tani problemin do ta ketë me Zotin për shkak të fjalëve që ai ka folur ndaj kulteve fetare të besimit islam në veçanti.

Përsa i përket gjërave që ka thënë ndaj meje, unë sot po e them para të gjithëve që ia kam bërë hallall. Por problemi me të do jetë për shkak të mohimit të Zotit dhe për shkak të fjalëve që ka folur kundrejt Mekës, Medinës, xhamiave dhe gjërave që janë fetare.
Situatën e krijuar me gazetarin Kastriot Myftaraj, imami e shfrytëzoi për t’iu rikujtuar dhe dhënë një mesazh plot vlera besimtarëve të të gjithave feve që një ditë të gjithë do të dalin para Zotit. Prandaj ai kërkoi që të gjithë të jenë të kujdesshëm në ato që bëjnë dhe thonë pasi vetëm gjërat e mira na përmirësojnë si individë.

Duhet të jemi të kujdesshëm sepse sipas besimit islam, hebre, kristjan dhe të gjitha feve sepse një ditë të gjithë do të dalin para Zotit. Me fol me u nxitu është e lehtë, edhe me shajtë është e lehtë por një ditë do japim llogari për veprat tona. Të jemi sa më të kujdesshëm, të kërkojmë sa më shumë falje, të përmirësohemi sa më shumë dhe të bëjmë sa më shumë gjëra të mira.
Në mbyllje imami tha se për gazetarin Myftaraj i cili ka ndërruar jetë tanimë, nuk ia vlen që të shahet e ofendohet pasi ai ka shkuar te Zoti dhe do të përgjigjet atje për gjithçka ka bërë.