Fëmija fillimisht u godit përballë, pastaj helikat e copëtuan. Pushuesit: Vriteni! ‘Shefi’ tenton të largohet

Një tmerr i vërtetë ndodhi sot në plazhin e Potamit në Himarë. Një fëmijë 5 vjeç u masakrua nga goditja dhe helikat e një skafi. Sipas dëshmitarëve okularë, i mituri ishte duke u larë në det ku është përplasur fillimisht nga pjesa ballore e skafit dhe më pas trupi i tij është prerë nga helikat duke ndërruar jetë në vend.

Në fotot e mëposhtme shihen pushuesit dalin nga plazhi i Potamit me duar në kokë pasi panë vrasjen e fëmijës 5-vjeçar. Pushuesit vrapojnë për të ndihmuar të miturin, i cili për fat të keq nuk mundi që t’i bënte ballë plagëve të marra.

Policia ka shoqëruar autorin e ngjarjes, i cili rezulton ish shefi i komisariatit të Himarës Arjan Tase. Turistët kanë treguar se ky i fundit tentoi që të largohej me skafin e tij mirëpo u kthye pas nga thirrjet e qytetarëve. Mjaft prej tyre thërrasin: Vriteni, vriteni!

Në janar të 2021 Arjan Tase u arrestua nga policia për shpërdorim detyre, pas një aksioni anti-kanabis “Hapësira”. Së bashku me shefin e krimeve Artur Veshaj, ata u akuzuan se lejuan kultivimin e kanabisit në zonën e Vlorës.

Mirëpo, prokuroria nuk mundi të faktojë akuzat ndaj tyre. Ai u rikthye në detyrë dhe më pas është transferuar në Elbasan.