Firma e lidhur me Nikolin Jakën “kullufit” 300 milionë pa garë për të ushqyer ushtarët në Zall-Herr

Një tjetër tender i dyshimtë është realizuar nga Agjencia Shtetërore e Prokurimeve të Përqëndruara. Ky tender ka të bëjë me gatimin dhe ushqimin për disa reparte ushtarake të Zall-Herrit në Tiranë. Bëhet fjalë për një fond limit të llogaritur prej 25,465,690 lekë të reja pa TVSH ose rreth 300 milionë lekë të vjetra me TVSH.

Më konkretisht e kemi fjalën për tenderin me numër reference REF- 27107-04-28-2022 dhe me objekt “Shërbim gatimi dhe shpërndarje ushqimi për Repartin Ushtarak Nr. 1001, 1002, 1003, 1020, Zall-Herr, Qendër Tiranë”.

Siç ndodh shpesh në këto raste, për këtë procedurë nuk ka patur fare garë dhe fituese është shpallur kompania “KPL” SHPK për vlerën 25,105,087 lekë të reja pa TVSH ose rreth 300 milionë lekë të vjetra me TVSH.

Kjo shifër rezulton të jetë thuajse sa 100% e fondit limit, çka nxit dyshime të forta se kemi të bëjmë me një fitues të paracaktuar. Por kish qëndron pas kësaj kompanie? Me letra rezulton të jetë në pronësi të Ramazan Troka. Por nëse shikojmë historinë e pronarëve të kësaj firme, del kudo emri i Nikolin Jakës dhe gruas së tij Alma Tafani.