Gashi tërheq kandidatin në Kërçovë për hir të shqiptarisë

Duke e dëgjuar thirrjen e mërgatës shqiptare dhe duke e lexuar dëshirën e gjithë shqiptarëve që mos ta përçajmë votën shqiptare, sot – pas konsultimeve me kandidatin tonë për Kërçovën, Mazllam Osmani, dhe degën e Alternativës në Kërçovë – bashkërisht vendosëm që ne ta tërheqim kandidatin tonë për Kërçovë.

Ndonëse intenca jonë për Kërçovën kaherë ka qenë për një kandidaturë shqiptare pa atribute partiake, por derisa kemi parti që nuk e kuptojnë rëndësinë e kësaj teme, ne nuk mund ta vrasim djalin për inat të nuses.

Sidoqoftë, unë dua ta falënderoj degën e Kërçovës, kryetarin Fluturim Ibraimi, por në veçanti dua ta falënderoj dhe përgëzoj kandidatin Mazllam Osmani, i cili me vetëmohim të plotë dhe me shumë kënaqësi e pranoi të tërhiqet nga gara, për t’ia hapur rrugën fitores së kandidatit shqiptar.

Pas kësaj nuk më mbetet gjë tjetër, pos që t’i uroj Kërçovës që të vazhdojë të frymojë shqip.

Afrim Gashi