Gledis Nano ‘heq spaletat’ dhe zbret vetë në terren: Ndëshkim maksimal për këdo që shkel ligjin dhe detyrën!

VLORË- Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Gledis Nano, ka ‘hequr spaletat’ dhe ka dalë vetë në terren për të ndjekur aksionin e kontrollit të mjeteve lundruese.

Në një deklaratë pas tragjedisë së ndodhur ditën e djeshme në plazhin e Potamit nga Dhërmiu, Nano bën të ditur se po ndjek operacionin policor për ndalimin dhe kapjen e personave që krijojnë rrezikshmëri duke drejtuar mjetet lundruese. Për komisar Arjan Tasen, Nano tha se do të ndëshkohen maksimalisht çdo person që shpërdoron besimin dhe abuzon me detyrën. Po ashtu, Nano tha se një veprim i një punonjës policie nuk mund të përbaltë punën e punonjësve të tjerë të policisë së shtetit.

DEKLARATA E GLEDIS NANO:

Në radhë të parë, dua të përcjell ngushëllimet më të sinqerta për familjen Avdia, e cila humbi vogëlushen në një aksident tragjik, ditën e djeshme. Ne jemi përgjegjës dy herë si Polici e Shtetit, për ketë ngjarje, duke qenë se autori i kësaj ngjarjeje ishte një oficer policie. Autori i ngjarjes së djeshme është arrestuar në flagrancë, në vendin e ngjarjes. I kërkoj organeve të drejtësisë për të dhënë një dënim maksimal. Jam shumë i vendosur, siç e shikoni edhe sot, po e drejtoj vetë operacionin në Dhërmi, për shoqërimin, bllokimin dhe verifikimin e të gjitha mjeteve lundruese, dokumentacionin e tyre dhe procedurës që ata ndjekin për të dalë në det. Ashtu siç jam i vendosur për tolerancë zero ndaj çdo shkelësi të ligjit dhe rrezikimit të jetës së pushuesve, jam i vendosur dhe me tolerancë zero të ndëshkoj çdo punonjës policie i cili nuk është i denjë, shpërdoron besimin, abuzon me detyrën dhe ka neglizhencë në kryerjen e detyrës. Dje, pas analizës së kryer nga grupi i inspektimit, kam marrë masë për shkarkimin e të gjithë zinxhirit komandues të drejtuesve të Drejtorisë Vendore për Kufirin dhe Migracionin Vlorë, si persona përgjegjës, me neglizhencën e tyre, në moszbatimin e masave shtesë të urdhëruara po nga unë, disa ditë më parë, me qëllim rritjen e parametrave të sigurisë në plazhe.

Ky inspektim do të vazhdojë, analiza do të vazhdojë dhe do të shtrihet edhe më tej. Pavarësisht se autori është një punonjës policie, veprimi i një punonjësi policie nuk mund të përbaltë punën, mundin dhe djersën e mijëra burrave dhe grave të Policisë së Shtetit, të cilët punojnë ditë dhe natë për të siguruar një ambient sa më të qetë dhe sa më të sigurtë për pushuesit, gjatë sezonit turistik veror”. Deri në këto momente, në të gjithë vijën bregdetare, janë shoqëruar, në pikat e posaçme të bllokimit, nga Ksamili në Velipojë, rreth 90 mjete lundruese “Jet ski” dhe rreth 40 mjete të tjera lundruese (skafe të vegjël dhe gomone).

Operacioni vijon, pasi një pjesë e përdoruesve të mjeteve lundruese i kanë mbyllur mjetet lundruese në det dhe janë larguar. Ndihmës/specialistët e Policimit në Komunitet po iu çojnë njoftime pronarëve të këtyre mjeteve, për t’u paraqitur, duke qenë se operacioni do të vijojë deri në shoqërimin e të gjitha mjeteve lundruese, me qëllim verifikimin e tyre.