Historia e burrit që qëndroi për 14 orë në oqean, një mbeturinë e vjetër i shpëtoi jetën

Në mes të oqeanit në jug të Paqësorit, një marinar 52 vjeçar i vari shpresat për jetën e tij tek një pikë fare e vogël e zezë që kishte parë në det, në momentin kur e kuptoi që anija me të cilën udhëtonte kishte ikur dhe ai ndodhej tashmë vetëm.

Kjo është historia e (marinar) Vidam Perevertilov, një inxhinier në një anije kargo mallrash. Burri kishte mbaruar turnin e punës në dhomën e motorrit të anijes. Po punonte në turnin e natës (në orën 4 të mëngjesit) dhe pas disa orëve punë brenda, Vidam nuk ndihet mirë. Kujton se ka dalë jashtë në kuvertë me idenë për të marrë ajër të pastër. Nga ai moment nuk e mban mend sesi ka rënë nga anija.

Djali i tij tha për mediat e huaja se me gjasë i kanë rënë të fikët dhe se pas disa instanteve e ka gjetur veten në ujë. Pavarësisht të bërtiturave të tij për ndihmë, në atë orë të vonë të natës askush nuk e dëgjoi. Anija eci përpara, ndërsa 52 vjeçari mbeti në ujë dhe pa një jelek shpëtimi.

Vidam priti zbardhjen e diellit dhe në horizont pikasi një ‘njollë’ të zezë mbi valët e oqeanit. Vendos të notojë drejt asaj pike, duke varur kështu shpresat e jetës së tij atje. Pas disa minutash në not dhe energjisë që sa vinte e shuhej, kur burri arrin tek ‘pika e zezë’, dallon se ishte një top nga ato që përdorin varkat për pluskim e sinjalizim.

“Nuk ishte e ankoruar në tokë, thjesht ishte një vozë e vjetër, shkurt mbeturinë që po pluskonte në det… por ama i shpëtoi jetën babait, sepse forcat e kishin lënë”-tha i biri për mediat.

Ndërkohë në anijen e tij u deshën rreth 6 orë për të kuptuar që 52 vjeçari nuk po gjendej më në anije. Kapiteni drejtoi menjëherë kursin prapa në kërkim të inxhinierit. Në ndihmë erdhën dhe disa anije të tjera, duke e shtrirë kështu kërkimin për Vidamin.

Ky i fundit tashmë kishte ku të mbahej, por trupi i tij kishte pësuar djegie dhe lodhja ishte e papërshkrueshme. Qëndronte në oqean prej mëse 10 orësh pa një pikë ujë.Anijes së tij dhe të tjerave që u vunë në kërkim, iu desh rreth 14 orë për ta gjetur, pikërisht kur dielli po shkonte drejt perëndimit, njëlloj si shpresat e 52 vjeçarit.

Fatmirësisht anija e tij e gjen pas 14 orësh Vidamin. Një anëtar i ekuipazhit shikon një dorë të 52 vjeçarit të ngritur lart dhe më në fund, ai shpëtohet.

“Anija iu afrua tim ati dhe një prej anëtarëve të ekuipazhit shkoi ta nxjerrë prej aty. Kur e pash, dukej 20 vite më i madh dhe krejtësisht I raskapitur… por ishte gjallë.

Tani babai shpesh herë më flet për Zotin dhe ai nuk ka qenë ndonjëherë ndonjë besimtar… më tha se kishte menduar për jetën e tij teksa mundohej të mbahej gjallë në mes të oqeanit. E pieta përse nuk e mori atë topin që I shpëtoi jetën, më tha se do ishte gabim ta bënte… mbase ajo mbeturina mund t’I shpëtonte jetën ndonjë tjetër njeriu”-tha djali i 52 vjeçarit.