Historia e doktorit që i riktheu shikimin 130 mijë nevojtarëve, duke i operuar falas

Shumë pranë tembullit Mayadevi, atje ku Buddha lindi 2600 vite më parë, qindra njerëz mblidhen në rresht përpara një spitali, me shpresën se drita e syve do t’i rikthehet.

Të gjithë presin për ardhjen e një doktori të vetëm, Dr, Sanduk Ruit. Të gjithë atje (Nepal e më gjerë) e njohin doktorin si “Zotin e Shikimit”.

“I gjithë objektivi, qëllimi, pasioni dhe dashuria ime, është të shoh të mos mbetet asnjë njeri i verbër në këtë botë. Është me rëndësi që njerëzit të marrin shërbim e veçanërisht ata që nuk kanë mundësi të paguajnë. Unë jam këtu për të siguruar që gjithkush të marrë shërbim”-tha për Associated Press, doktor Ruit.

Dhe në Nepal, shumica e njerëzve janë të varfër. Ata nuk kanë mundësi të paguajnë për operimet në sy për të përmirësuar shikimin. Por falë doktorit, qindra njerëz janë ndihmuar. Madje Ruit shkon nëpër fshatra të thellë e në malet e Himalajeve për të ndihmuar njerëzit me probleme me shikimin.

Ruit ka kryer deri më tani mbi 130 mijë ndërhyrje dhe vijon ta bëjë këtë punë me qëllimin për të arritur sa më shumë në ndihmë, veçanërisht të atyre që nuk kanë mundësi. Doktori ka nisur një bashkëpunim me një filantrop britanik, me qëllimin që të operojë kudo në botë njerëz të varfër, që e kanë të pamundur të kryejnë ndërhyrje për të shpëtuar shikimin.

Puna e doktorit ka nisur në vitet 80’, kohë kur ai u jepte syze njerëzve. Por shumë shpejt vuri re se njerëzit nuk i mbanin syzet dhe shanset në përkeqësimin e shikimit të njerëzve ishin të larta. Kështu ai arriti të krijojë i pari një teknikë të re për të hequr kataraktin (perden e syrit) pa nevojën e qepjes, falë një incizioni të vogël, ku më pas shtohet një lente artificiale.

Ky lloj operimi kushton 100 dollarë dhe është falas për të gjithë ata që nuk mund ta përballojnë këtë shumë. Në këtë zonë të globit, varfëria dhe pamundësitë janë të mëdha dhe kur njerëzit përballen me kataraktet (një sëmundje në sy që mjegullon shikimin, syri humb aftësinë për të fokusuar), për shumëkënd jeta merr të tatëpjetën.

Por njerëzit që janë shpëtuar nga ky doktor, e falenderojnë pa masë. Ashtu si nje 58 vjeçar, që humbi punën për shkak se nuk shihte më mirë.

“Ky operim më ndryshoi të gjithë jetën”-tha 58 vjeçari.

Artikulli u publikua nga “Associated Press”/ Përshtati ‘Shqiptarët për Shqiptarët.info’