Humb jetën tragjikisht biznesmeni shqiptar, flet vëllai i tij: Sa do fillonte punë të re!

Një 45-vjeçar shqiptar ka humbur jetën në Itali, si pasojë e një aksidenti rrugor.

Viktima është identifikuar si Lorenc Beqari, i cili humbi kontrollin e automjetit të tij tip “Alfa Romeo”, ndërsa ngjarja u regjistrua në Durazzanino, në kufirin midis provincave Forli-Cesena dhe Ravenna.

Beqari po shkonte të takonte të dashurën, një personazh i njohur në Itali, Sandra Tampieri, e cila ka qenë showgirl në Maurizio Costanzo Show. Ajo është shprehur e tronditur nga aksidenti, teksa ka deklaruar ‘do të doja të vdisja dhe unë me të’.

Për mediat italiane ka reaguar edhe vëllai i vogël i Lorencit, Orges Beqari.

“Më mungon shumë, tani pushofsh në paqe vëlla, të kam dashur gjithmonë,” shprehet ai.

“Ne mbërritëm në Ravenna 30 vjet më parë, në vitin ‘91, me një varkë që u nis nga Shqipëria, nuk dua ta kujtoj,” thotë Orgesi i prekur.

“Ai ishte më i miri nga të gjithë, një njeri i mirë. Tani do fillonte një punë të re. Më parë ka punuar me vëllanë tim, Gentianin që ka një firmë dhe bënte punë të ndryshme, deri edhe bojaxhi shtëpish.

Tani duhej të fillonte të drejtonte furgonat para dhe pas transporteve të jashtëzakonshme, ishte i lumtur. Edhe e dashura e tij, Sandra, që punon si roje plazhi. Djali i saj erdhi të më takojë sot, tha se mami nuk është mirë. Kur dëgjoi lajmin, u sëmur”.

Orgesi kujton herën e fundit që pa vëllain e tij: “Të shtunën pak para se të nisej për të shkuar te Sandra në Forli. Ishte me prindërit e mi dhe po luante me nipin. Të gjithëve do na mungojë shumë”