“Jam në gjakmarrje, babai ka vrarë dikë…”/ Dënohet me burg 26-vjeçari shqiptar në Angli, la shkollën për t’u marrë me drogë: Kisha nënën sëmurë, më duheshin para

Një shqiptar është vendosur në pranga nga policia britanike pasi u kap në një fermë kanabisi. Sapo kishte pikasur policinë e cila hyri me forcë në banesë, i riu ishte ngjitur në tarracën e shtëpisë ku kultivohej kanabisi. Ai vrapoi nëpër çatitë e shtëpive të tjera për rreth gjysmë ore mbi çati derisa në fund ra në duart e policisë.

Gjatë kontrollit policia gjeti 130 bimë me vlerë 60 mijë euro, që kultivoheshin nën mbikëqyrjen e 26-vjeçarit ndërsa sipas autoriteteve ata kishin vendosur në rrezik edhe shtëpitë e tjera ngjitur nga mënyra se si kishin lidhur energjinë elektrike.

Shqiptari i identifikuar si Geraldo Xixi ka pretenduar para policisë dhe gjykatës se familja e tij ishte përfshirë në “gjakmarrje” pasi babai kishte vrarë një person në qytetin e tij të lindjes. Sipas tij, ai ka hyrë ilegalisht në Britaninë e Madhe i ndihmuar nga një prej bandave shqiptare që merrej me kultivimin e kanabisit. Duke folur para gjykatës 26-vjeçari shqiptar është shprehur se ai kishte rënë pre e bandave të trafikut të drogës me premtimin se do të punonte në ndërtim. Por ai është shfrytëzuar prej tyre pasi ata ishin në dijeni të përfshirjes së familjes së tij në gjakmarrje. Xixi ka deklaruar gjithashtu se i duhej të mblidhte para për t’u kujdesur për nënën e sëmurë.

Ndërkaq, sipas prokurorisë angleze shqiptari nuk ka pasur asnjë dënim të mëparshëm në Britaninë e Madhe. Ata i kanë dërguar kërkesë autoriteteve shqiptare për të mësuar për ndonjë dënim të mundshëm në Shqipëri, por deri më tani nuk ka asnjë përgjigje.

Sipas prokurorëve anglezë, Xixi kishte studiuar për menaxhim biznesi në Shqipëri, por ai e kishte lënë shkollën të papërfunduar për shkak se shëndeti i nënës së tij ishte përkeqësuar dhe për këtë arsye ai kishte ardhur në Britaninë e Madhe për të bërë para sa më shpejt të ishte e mundur për kujdesin mjekësor të nënës së tij.

Ai tha se duke pasur parasysh statusin e imigracionit të klientit të tij, një dënim me burg ishte i pashmangshëm dhe se Xixi do të dëbohej në fund të dënimit të tij.

Sipas gjykatës angleze, për Xixin është provuar se ai punonte në plantacionin e kanabisit që drejtohej nga një bandë kriminale shqiptare dhe se të ardhurat përdoreshin për financimin e aktiviteteve të tjera kriminale. Autoritetet e drejtësisë britanike kanë kërkuar që të hetohet më tej për të gjetur kokat e trafikut të drogës pasi kjo do të ishte mënyra e vetme për të ndaluar aktivitetet e tyre.

26-vjeçari Xixi u dënua me 1 vit burg, ndërsa deportimi në Shqipëri do të varet nga Ministria e Brendshme.