Kafshoi nëntë persona, vritet dhelpra e Capitol Hill

Autoritetet shëndetësore të Uashington DC kanë kapur dhelprën që kishte kafshuar të paktën nëntë persona, përfshirë dhe një anëtar të Kongresit Amerikan dhe një gazetare politike, në Capitol Hill. Por problemi që shtrohet është se çfarë do të bëhet me këlyshët e saj, pasi dhelpra u vra. Historia e dhelprës që jetonte rreth Capitol Hill u bë virale ditët e fundit në rrjetet sociale.

Mes personave të kafshuar nga dhelpra ishte dhe kongresmeni demokrat i Kalifornisë Ami Bera i cili u kafshua në këmbë. Pas eutanazisë dhelpra rezultoi pozitive ndaj sëmundjes së tërbimit. Mediat amerikane thonë se autoritetet shëndetësore i bëjnë apel personave të kafshuar nga dhelpra që të shkojnë për një kontroll mjekësor.

Dhelprat nuk janë të rralla në Uashington DC dhe Shërbimi i Parkut Kombëtar thotë se ato përshtaten mirë me jetën e qytetit dhe atë rural. Ka shumë strofulla dhelprash në National Mall, një park në qendër të qytetit, por vendndodhja e tyre mund të ndryshojë nga viti në vit.