Kaloi semaforin “me të kuq”: I riu nga Tirana drejtonte i droguar Audin luksoz, merr ndëshkimin e rëndë

Një 31 vjeçar nga Tirana është arrestuar në kushtet e flagrancës nga Policia e kryeqytetit, pasi është kapur duke drejtuar makinën nën efektin e drogës. Referuar njoftimit zyrtar, bëhet me dije se i riu ka marrë një ndëshkim shembullor.

Menjëherë pas publikimit në rrjetet sociale të një video-je, në të cilën një automjet qarkullonte me shpejtësi duke shkelur semaforin, në bulevardin “Bajram Curri”, efektivët e Komisariatit Rajonal të Policisë Rrugore Tiranë kanë evidentuar dhe ndaluar automjetin.

Në momentin e ndalimit drejtuesi i automjetit tip “Audi”, shtetasi A. S., është konstatuar se drejtonte automjetin edhe pa vendosur rripin e sigurimit. Ai ka refuzuar t’ia paraqesë dokumentacionin e kërkuar oficerit të Policisë, si dhe ka kundërshtuar me dhunë shoqërimin.

Në këto kushte, kur 31 vjeçari po manifestonte sjellje agresive dhe të dhunshme, i është kërkuar që t’i bëhej testi i alkooli, por ai përsëri ka kundërshtuar me dhunë efektivët.

“Në këto kushte është neutralizuar drejtuesi i mjetit dhe pas shoqërimit të tij, në ambientet e Komisariatit të Policisë Nr. 2, ai është testuar me aparatin drogë-testues dhe ka rezultuar se e drejtonte automjetin nën efektin e lëndëve narkotike.

Në përfundim të veprimeve procedurale, u bë arrestimi në flagrancë i këtij shtetasi, për veprën penale “Drejtimi i automjeteve në mënyrë të parregullt”.

Gjithashtu, këtij shtetasi iu pezullua leja e drejtimit për 24 muaj, iu zbritën 15 pikë nga leja e drejtimit dhe iu vendos masa administrative 89.000 lekë të rinj, për shkeljen e nenit 185 “Drejtimi i mjetit nën efektin e lëndëve droguese”, të parashikuar nga Kodi Rrugor. Kjo shkelje u provua pas matjes me *aparatin drogë-testues, të markës “AquilaScan”, njofton Policia e Tiranës.