“Kam qenë ministër, më rrezikohet jeta nga kriminelët”, zbardhet kërkesa e Tahirit për të dalë nga burgu

Saimir Tahiri, ish-ministri i Brendshëm i cili është dënuar me 3 vite e 4 muaj burg për shpërdorim detyre nuk është dakord me dënimin me burg. Ish-ministri ka bërë një kërkesë në Gjykatën e Lartë dhe ka kërkuar pezullimin e vendimit pasi sipas tij vuajtja e menjëhershme e dënimit me burgim mund të sjellë pasoja të rënda për vetë të pandehurin si dhe për familjen e tij. Për shkak të postit që ai ka mbajtur më parë, ai ka frikë se mund të bëhet objekt i personazheve të krimit që po vuajnë dënimin në burgun e Fierit.

Duke parashtruar se në rastin konkret vuajtja e menjëhershme e dënimit me burgim e të pandehurit Saimir Tahiri, mund të sjellë pasoja të rënda për vetë të pandehurin si dhe për familjen e tij. Kështu, Z.Tahiri ka mbajtur funksionin e ish Ministrit të Brendshëm të Republikës së Shqipërisë ai rrezikon dhe mund të bëhet objekt i personazheve të krimit që ndodhen duke kryer dënimin në IEVP Fier. Nga ana tjeter edhe familja e tij gjendet e ekspozuar ndaj pasoja të mundshme. Nga rekursi bashkëlidhur është e qartë që vendimi nr.03, datë 04.03.2022 i Gjykatës së Posaçme të Apelit është një vendim i marrë në shkelje flagrante të ligjit sa i përket procesit të rregullt ligjor dhe vijimi i ekzekutimit të tij cënon rëndë jo vetëm interesat e të dënuarit Saimir Tahiri, por edhe të drejtësisë. Në këto rrethana ndodhemi përpara kushteve dhe rrethanave të parashikuara në gërmën “c” pika 1 të nenit 476 të K.Proçedurës Penale ku parashikohen rastet e shtyrjes se ekzekutimit të vendimit dhe ne referencë të të pikës 1 të nenit 417 të K.Proçedurës Penale, kërkojmë Kolegjit Penal të Gjykatës së Lartë që sa më sipër mbasi të shqyrtojë këtë kërkesë të vendosë.