Kërkonte 500 mijë lekë për një varr në Tufinë, ky është drejtori i Veliajt që vidhte qytetarët

Elidor Ndini është drejtori i varrezave të Tufinës i cili është arrestuar ditën e sotme pasi akuzohet për korrupsion dhe shpërdorim detyre. Drejtori në bashkëpunim me disa persona të tjerë kërkonin nga qytetarët 30.000 deri 50.000 lekë të reja, për të siguruar një vend varrimi në varrezat e Tufinës.

Por jo vetëm kaq pasi drejtori Ndini thuhet se ka abuzuar me hapësirën e varrezave, duke caktuar çmimin për një vend varrim deri në 1.700 euro, me çmimet që varionin nga 50 deri 200 mijë lekë të reja për një vend në varreza.

Bashkë me Ndinin janë ndaluar edhe 8 zyrtarë të tjerë ndërkohë që operacioni u zhvillua në bazë të një procedimi të nisur nga seksioni i Krimit Ekonomik të Policisë së Tiranë, për Drejtorinë e Varrezave në Tufinë.

Gjatë hetimeve janë dokumentuar rastet dhe zbuluar edhe abuzime me tenderë në fusha të tjera. Sipas policisë, nga këqyrja e aparateve celulare të tyre dyshohet zyrtarët e bashkisë Tiranë mundësonin nxjerrjen e lejeve të ndërtimit dhe rindërtimit, nga institucionet përgjegjëse, për banesat e dëmtuara nga tërmeti, kundrejt pagesës 200.000 lekë të rinj; nxjerrjen e certifikatave të pronësisë pranë ASHK-së; përfitimin e certifikatave të vaksinimit kundër Covid-19, kundrejt pagesës 30.000 lekë të reja, si dhe përfitimin e kredisë të butë pranë bashkisë Tiranë.