La gruan me 1 fëmijë për të marrë Merushen me 3, Xhevahiri ishte betuar për të vrarë djalin, nusen dhe veten

Detaje të reja janë zbardhur në lidhje me ngjarjen e rëndë që tronditi Fierin ditën e sotme pasi një 61-vjeçar vrau të fejuarën e djalit dhe më pas veten. Xhevahir Hoxha ka masakruar me thikë 30-vjeçaren Merushe Hazizi e cila ishte e fejuar me djalin e tij Fatjonin pasi nuk ishte dakord që ata të martoheshin. Mësohet se Fatjon Hoxha kishte qenë i martuar dhe kishte edhe një vajzë por ishte divorcuar 3 vite më parë pasi kishte nisur një lidhje dashurie me Merushem e cila gjithashtu kishte qenë e martuar dhe me 3 fëmijë.

Por prishja e familjes për shkak të një gruaje të divorcuar dhe një martesë e dytë nuk janë pranuar nga Xhevahir Hoxha i cili i betohej djalit të tij që nëse merrte për nuse Merushen, ai do i vriste që të dy dhe më pas veten. Për shkak të një debati të tillë, Fatjon Hoxha dhe Merushe Hazizi kishin dalë për të jetuar me qira në një banesë në Fier. Por javën e kaluar ata ishin rikthyer sërish në fshatin Vidhisht dhe po bashkëjetonin me 61-vjeçarin dhe bashkëshorten e tij. Ditën e sotme 61-vjeçari dhe Merushja kanë qenë vetëm në shtëpi dhe pas një debati mes tyre ai ka marrë thikën dhe e ka masakruar dhe më pas ka dalë jashtë dhe është varur në pemë.

Banorët e fshatit Vidhisht janë tronditur nga një ngjarje e tillë, por shprehen se 61-vjeçari e kishte paralajmëruar djalin e tij dhe të fejuarën me të cilën bashkëjetonte.