LAJM I FUNDIT/ Shtyhet me dy javë nisja e vitit të ri shkollor

Ministrja e Arsimit, Evis Kushi, përmes një daljeje publike për media ka njoftuar shtyrjen me dy javë të nisjes së vitit të ri shkollor.

Sipas ministres viti i ri akademik do të nisë më datë 27 Shtator, ndërkohë që sipas saj ambientet e shkollave do të jenë disponibël për nxënësit që prej datës 1 Shtator për të kryer mësimin plotësues.

FIllimisht koha e mësimit plotësues ishte paracaktuar deri në datën 13 Shtator, ndërkohë që u shty dhe me dy javë të tjera.

Sipas Kushit gjatë periudhës së mësimit plotësues ose përsëritës, nxënësit nuk janë të detyruar të shkojnë çdo ditë në shkollë, ndërsa mësuesit dhe të gjitha stafet shkollore do të jenë aty me kohë të plotë për të ofruar krahas mësimit plotësues, edhe veprimtari të ndryshme sportive, artistike dhe kulturore.

“Duke vlerësuar dhe shqyrtuar me kujdes shqetësimet dhe sugjerimet e ardhura nga mësuesit dhe prindërit, vendosëm të zgjasim periudhën e mësimit plotësues deri në nisjen e vitit të ri shkollor, jo më 13 shtator, por më 27 shtator 2021”- u shpreh ministrja.