Mburrja në TikTok nxjerr zbuluar shqiptarin: I jep mend gazetarit anglez për të shkuar në Britani

Ekspozimi dhe mburrja në TikTok ka nxjerrë zbuluar një emigrant shqiptar i cili pasi ka mbërritur me gomone në Britani është kapur dhe çuar në kamp nga autoritetet britanike të emigracionit. 19-vjeçari Elvis Zoto muajin e kaluar hyri në Britani me një gomone të vogël por pasi u kap nga britanikët ai ia doli t’ju shpëtonte atyre dhe të largohej nga hoteli ku ishte duke qendruar pas dy ditëve në kamp.

Në rrjetin e tij social, TikTok ai është mburrur për hyrjen ilegale në Mbretërinë e Bashkuar dhe ka postuar edhe foto të formularit të regjistrimit të tij në Home Office në Dover më 29 qershor. Ndjekësve të tij ai iu ka treguar se ka arritur të arratiset nga hoteli duke u ngjitur nga një dritare.

Një gazetar i Dailymail është “maskuar” si emigrant në Francë për të marrë më shumë informacione rreth mbërritjes së shqiptarit në Britani dhe arratisjes nga hoteli. Gjatë bisedës me të shqiptari i ka treguar se udhëtimi për në Mbretërinë e Bashkuar ishte i lehtë, por e këshilloi atë të ‘ngutej’ me udhëtimin e tij sepse ‘ligji do të ndryshojë së shpejti’.

I pyetur për rreziqet e kalimit të Kanalit me një gomone të vogël, ai tha:

Mos u trembni. Arrita me një gomone. Një udhëtim që nuk kërkon shumë para. Nxitoni dhe mos prisni gjatë. Ligji do të ndryshojë së shpejti. Do të përkeqësohet. Ju mbajnë në paraburgim maksimumi dy ditë, pastaj ju dërgojnë në një hotel. Në qendrën e paraburgimit ka kushte të mira. Ju u thoni atyre se jeni i martuar dhe ky është fundi i historisë. Duhet të largoheni nga hoteli dhe thjesht të prisni që të afërmit tuaj t’ju hipin në një makinë. U largova nga dritarja e atij hoteli. . . u zhduka. . . Mbani një profil të ulët dhe pas një muaji merrni një avokat.
Ai gjithashtu i tha gazetarit të fshehtë që të injoronte kërcënimin e largimit në Ruandë pasi sipas tij kjo nuk është e vërtetë.

Në një video te postuar në TikTok në fillim të këtij muaji, shqiptari duket i ulur jashtë një kafeneje në një rrugë të populluar në Londër. Videoja shoqërohet me emoji për të qeshur. Imazhet e tregojnë Zoto duke pozuar me tufa kartëmonedhash 20 dhe 50 £.