“Më kërcënuan, kam borxhe”, 63-vjeçari shqiptar kapet në shtëpi bari: Jam i sëmurë me diabet

Një shtetas shqiptar është dënuar me dy vjet e tetë muaj burg në Uells pasi u kap brenda një shtëpie bari me vlerë pothuajse 200,000 £. Në gjykatë u tha se Bajram Koleci kishte kthyer një qebaptore që shërbente edhe pula të pjekura në një fermë kanabisi

Oficerët kanë arritur të hyjnë në pronë më 11 shkurt të këtij viti dhe kanë gjetur brenda shqiptarin dhe një mashkull tjetër. Policia ka arritur të zbulojë gjithsej 686 bimë me vlerë midis 48,000 dhe 197,000 £. Në shtëpinë e shqiptarit u gjetën dy telefona celularë me të dhëna që i atribuohen Kolecit, i cili kishte qenë në kontakt me një burrë për ta udhëzuar për listën e pajisjeve të nevojshme për prodhimin e drogës së klasit B. Gjithashtu u gjetën dëshmi se matësi i energjisë elektrike ishte prishur.

Për arrestimin e tij, Koleci u tha oficerëve:

Jam detyruar të punoj. Jam trafikuar në Britaninë e Madhe dhe kam pasur borxhe.
Ai shtoi se kishte qenë në Port Talbot për gjashtë muaj dhe kishte tentuar të largohej, por “u kërcënua me armë dhe u fut me forcë brenda shtëpisë së barit. 63-vjeçari u paraqit në gjykate për dënimin pasi pranoi se prodhonte kanabis. Avokati i tij, Stephen Thomas tha:

Ai është një emigrant i paligjshëm në këtë vend. Ai erdhi në Britani për të gjetur punë dhe për t’u përpjekur për të përmirësuar jetën e tij. Ai ka një vajzë dhe grua në Shqipëri që varen prej tij dhe nuk punojnë. Ai e ka pasur shumë të vështirë të gjejë punë ndërtimi në Shqipëri prandaj ka udhëtuar në këtë vend. I pandehuri më thotë se është i sëmurë dhe diabetik dhe ka rrahje zemre të çrregullta, i pandehuri ka punuar për ata më lart për një shpërblim të vogël. Atij i vjen shumë keq për sjelljen e tij dhe pranon se ajo që bëri ishte e gabuar dhe i vjen keq që u përfshi në këtë punë.