





Kancelarja gjermane, Angela Merkel vizitën e fundit të saj si kancelare ka kërkuar ta kalojë në vizitë në shtetet e Ballkanit Perëndimor.
Merkel i ka kërkuar BE-së më shumë kompromis për shtetet e Ballkanit Perëndimor që duan të integrohen.
Zgjidhjen e konfliktit me Kosovën ajo e quajti kusht për anëtarësimin.
Kancelarja gjermane Angela Merkel pas takimit të sotëm me presidentin e Serbisë Aleksandër Vuçiq, ka shpresuar për progres në fazën e re të dialogut Kosovë-Serbi.





Ajo në një konferencë për media në Beograd deklaroi se Kosova nuk do të zhduket nga agjenda dhe se disa çështje zgjidhen në fund procesit.
“Disa çështje do të zgjidhen në fund të procesit. Jo të gjitha vendet e BE -së e kanë njohur pavarësinë e Kosovës. Unë jam për një qasje pragmatike. Kjo çështje nuk do të zhduket, duhet të zgjidhet. Por unë jam për një rrugë ku të gjitha çështjet e tjera zgjidhen së pari. Shpresoj se do të kemi përparim të ri në procesin rreth Kosovës”, u shpreh kancelarja gjermane
Ndërkohë, vetë Vuçiq e ka të qartë se nuk ka anëtarësim në BE pa u zgjidhur çështja e Kosovës.
“Nëse pyetja është se a jemi të vetëdijshëm se nuk do të hyjmë në BE pa e zgjidhur çështjen e Kosovës, atëherë absolutisht është e qartë kjo. Ne biseduam për të gjitha çështjet rajonale, për rrugën evropiane të Serbisë, për dialogun me Prishtinën në Bruksel. I thashë kancelares se Serbia është e përkushtuar ndaj dialogut dhe se Serbia beson se një konflikt i ngrirë nuk është një zgjidhje e mirë dhe se ne do të jemi gjithmonë të hapur për një zgjidhje kompromisi”, tha Vuçiq.
Kujtojmë që Merkel ka 16 vite që angazhohet për shtetet e Ballkanit Perëndimor, ku edhe përfundoi detyrën e saj si kancelare.





Por, edhe pse deklaroi se e ka të qartë për Kosovën, a do të bëjë Vuçiq hapa konkret drejt njohjes së pavarësisë apo janë vetëm deklarata të tij?
Ahmeti: Serbia e ka të detyruar njohjen e shtetit të Kosovës nëse dëshiron të hyjë në BE
Në lidhje me këtë temë, analisti politik, Hidajet Ahmeti në një prononcim për “Bota sot”, u shpreh se çdo shtet që pretendon të hyjë në BE duhet të bëjë reforma të brendshëm.
Serbia do të detyrohet ta njoh Kosovën pasi kapitulli i 35-të i MSA-së është i hapur që nënkupton me i zgjidhë kontestet e hapura me shtetet fqinje.