Momente ‘tmerri’ për Shkodran Mustafin, grabitësit i hyjnë në shtëpi ndërsa flinte dhe i zhdukin…

Shkodran Mustafi është bërë protagonisti i një incidenti aspak të këndshëm në Spanjë.

Futbollisti i cili aktualisht jeton në periferi të Valencias, pasi aktivizohet me Levanten, është bërë viktimë e një grabitje në banesë.

Mediat spanjolle kanë bërë të ditur se këtë të diel, Mustafi është zgjuar nga disa zhurma në banesën e tij dhe ka parë se ishte bërë viktimë e një grabitje.

Hajdutët kishin hyrë në banesën e tij dhe po e plaçkitnin, ndërsa ai ishte në dhomën e gjumit.

Ata janë larguar me shpejtësi pasi futbollisti është zgjuar, por mësohet se kanë marrë sende me vlerë dhe para që kapin shifrën 1 milion euro.

Megjithatë, lojtari mund të cilësohet me fat që keqbërësit janë larguar menjëherë sapo ai është zgjuar, duke mos pasur asnjë kontakt me të, bashkëshorten e tij apo dy fëmijët e vegjël që gjendeshin në banesë.