Nami sot në Përputhen, 3 hyrje të reja. Mes tyre edhe një ish-konkurrent nga viti i kaluar. E mbani mend këtë?

“Për’puthen” ka nisur sezonin e tretë, me të njëjtën formulë si sezonin e kaluar. Edhe këtë sezon moderimi i është besuar sërish Bora Zemanit, ndërsa opinionist është Arjan Konomi. Fillimisht u prezantuan 5 vajza dhe djemtë, por autorja Olsa Muhameti lajmëroi pak ditë më parë se do të kishte vazhdimisht prurje të reja.

Nuk kaloi shumë kohë dhe sot janë bërë pjesë e “Për’puthen” tre djem të rinj. Megjithatë, të tre, siç tha Bora Zemani, kanë nga një problematikë, ndaj për ta do të vendosë publiku dhe vajzat.

Një nga tre djemtë që hynë sot është Artan Shaba, vëllai i Mevlanit, ish-konkurrentit të “Për’puthen”, i cili kërkoi direkt një takim me Ritvanën. Djali nga Kavaja mohoi se vinte në emision vetëm për famë dhe nuk ngjante fare me vëllanë e tij, me Mevlanin.

I dyti ishte Melik Balikci, turk, por që jeton në Vlorë, që kur ka qenë fëmijë. Ai ishte pranuar në “Për’puthen”, por për shkak të një vonese gjatë regjistrimeve e bëri që ai të mos e vazhdonte rrugëtimin. Ai shprehu pëlqimin për Mikelën, madje me të cilën kërkoi dhe një takim. I pyetur për dallimet mes vajzave turke e shqiptare, Meliku tha se ishin thuajse njësoj.

I treti është Redi, i cili ka marrë pjesë edhe vjet në “Për’puthen”, por për shkak të një incidenti, një përplasjeje me Eri Agën, një tjetër ish-konkurrent, ai u përjashtua që ditën e parë që hyri. Sot, Redi shprehu pëlqimin për Alvisën, vajzën që është nga Vlora.