Nga Fatmira Hajdari te Haluci dhe Tritan Hamitaj, 20 gjyqtarët që marrin 75% të pagës edhe pse janë shkarkuar prej 2 vitesh nga detyra

Ritmi i ngadaltë i Kolegjit të Apelimit për shqyrtimin e ankesave ndaj vendimeve të shkallës së parë të Vettingut po favorizon gjyqtarët e shkarkuar nga detyrë që vijojnë të marrin prej dy vitesh 75 % të pagës mujore

Në fund të vitit 2020, Ulsi Manja, në atë kohë kryetar i Komisionit të Ligjeve, kritikoi Kolegjin e Posaçëm të Apelimit, për vonesa në shqyrtimin e ankimimeve nga gjyqtarët dhe prokurorët e shkarkuar nga shkalla e parë e Vettingut dhe rekurset e Komisionerit Publik kundër vendimeve të Komisionit të Vettingut, për konfirmimin në detyrë të gjyqtarëve dhe prokurorëve.

“Në dy vjet kanë marrë 2.9 vendim në muaj. Nuk besoj se është mungesa e 6 apo 9 këshilltarëve që ka prodhuar këtë rendiment në punën e organeve të Vettingut. Në dy vite janë 140 apelime në Kolegjin e Posaçëm të Apelimit. Janë dhënë 70 vendime, i bie gati 2.9 vendime në muaj. Unë uroj që me këtë shtesë në strukturë të rritet volumi i punës së KPA në drejtim të vendimmarrjes. Të mos harrojmë se janë lekë që paguhen nga taksat e shqiptarëve. Dhe siç kemi të drejtën për të kërkuar mbështetjen e buxhetore për punonjës, e njëjta llogaridhënie duhet të jetë edhe për detyrat që keni marrë përsipër”, tha Manja.

Rreth 17 muaj më pas, situata nuk ka ndryshuar. Kërkesat e disa gjyqtarëve dhe prokurorëve, të shkarkuar nga Vetingut prej dy vitesh, ende nuk janë shqyrtuar nga Kolegji i Posaçëm i Apelimit.

Mungesa e rendimentit nga ana e KPA-së ka edhe një kosto financiare. Pika 1 e nenit 62 të ligjit të Vetingut, parashikon që subjekti i rivlerësimit, i cili ka ushtruar të drejtën e ankimit ndaj vendimit të Komisionit për masën disiplinore për shkarkimin nga detyra, përfiton 75 për qind të pagës mujore, deri kur të shprehet KPA me vendim.

Konkretisht, gjyqtarët Fatmira Hajdari, Gjovalin Përnoca, Hajrie Muçmata, Arjan Balliu, Neritan Cena, Artur Gaxha, Tritan Hamitaj, Hysen Saliko, Lindita Hoxha, Flutura Skënderi, Shpresa Beçaj, Niko Rapi, Petrit Aliaj, Nure Dreni, Selim Kryeziu, Skënder Haluci, Entela Shedula, Bernina Kondi, Andi Civici dhe Ardit Mustafaj, janë shkarkuar që në vitin 2020 nga detyra, por vijojnë ende sot të marrin 75 % të pagës.

Disa prej tyre vijojnë të marrin 75 % të pagës më shumë se sa prej dy vitesh. Gjyqtarët kanë ankimuar në KPA vendimet e shkarkimit, duke përfituar automatikisht 75 % të pagës. Gjyqtarët po përfitojnë për shkak të ritmit të ngadaltë të Kolegjit të Posaçëm të Apelimit. Nga ana tjetër, ky ritëm po penalizon ato gjyqtarë, të cilët janë shkarkuar në mënyrë të padrejtë nga KPK dhe që mund të rikthehen në detyrë me pagë të plotë.

A.M./SI.E./Shqiptarja.com