Nuk deklaroi resortin miliona euro, merret i pandehur për fshehje pasurie ish-prokurori Petrit Fusha

Prokuroria e Durrësit njoftoi të mërkurën se kishte marrë të pandehur ish-drejtuesin e Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë, Petrit Fusha, të cilin e akuzon për fshehje të pasurisë.

Prokurori i çështjes Afrim Shehu i tha BIRN se akuzat ndaj Fushës bazoheshin në referimin e dërguar nga Komisionin e Pavarur të Kualifikimit dhe materialeve të marra nga Inspektorati i Lartë i Kontrollit dhe Deklarimit të Pasurive e Konfliktit të Interesit, ILDKPKI.

“Është marrë i pandehur për akuzën e fshehjes së pasurisë, por ende nuk e kemi ekspertizën kontabël për të dhënë një vlerë”, tha Shehu.

Prokurori Shehu i tha BIRN se ish prokurori po hetohej për fshehje të resortit “Mai Tai” në periferi të Tiranës. Shehu tha se prokuroria po hetonte burimet financiare dhe po kryente edhe disa ekspertiza në lidhje me objektin në fjalë.

Hetimet ndaj Fushës kanë filluar në Prokurorinë e Durrësit në vitin 2020, pasi disa kallëzime ndaj tij dhe subjekteve të tjera u referuan për kompetencë në këtë prokurori nga SPAK, raporton Birn.

Petrit Fusha, i emëruar nga ish-kryeprokurori Adriatik Llalla ka drejtuar për 5 vjet Prokurorinë e Përgjithshme. Ai u shkarkua në 28 dhjetor 2017 nga kryeprokurorja e përkohshme, Arta Marku dhe në vend të tij u emërua Dritan Rreshkja. Ai ka punuar si prokuror në Prokurorinë e Tiranës, pastaj është tranferuar në Shkodër për t’u rikthyer më pas në Tiranë. Prokurori Fusha ishte duke pritur caktimin e datës për t’ju nënshtruar sistemit të Vettingut.

Për opinionin publik, prokurori Fusha njihet si personi që ka hetuar para disa vitesh dosjen e Ardit Gjoklajt.