Pamje të trishta që të këpusin shpirtin nga Vlora. Njerëzit po shtrihen në tokë, nuk dihet ende se kur do niset trageti

Turistët dhe emigrantët që vizituan Shqipërinë për pushimet e verës po kërkojnë të kthehen në shtetin ku jetojnë dhe punojnë.

Prej orësh të tëra, ata janë detyruar që të qëndrojnë në kushte aspak të mira dhe të shtrirë në tokë në portin e Vlorës në pritje të tragetit të radhës dhe me shpresën e vetme se do të nisen sa më parë drejt Brindisit.

Mësohet se të moshuarit dhe fëmijët kanë qëndruar pa asnjë mbështetje deri në orën 4 të mëngjesit.

Nga ana tjetër, autoritetet kanë bërë të ditur se prej datës 15 linjat punojnë me kapacitet të plotë, por sërish fluksi është i papërballueshëm, edhe pse ka shtim të linjave pasi sipas tyre janë të shumtë ata që po kërkojnë të kthehen drejt vendeve ku jetojnë.

Të stresuar, të lodhur e të mërzitur, ata shprehen jashtë kamerave se po ndihen shumë keq me gjithë situatën e krijuar.

Të shtrirë në tokë, burra, të moshuar, gra e fëmijë presin në port duke mos pasur ende asnjë informacion se kur do të nisen drejt Italisë.

Ndërkohë ishte planifikuar që trageti drejt Brindisit të nisej në orën 22-30 të mbrëmjes së kaluar, por për arsye që nuk dihen, lundrimi është shtyrë dhe kjo gjë ka bërë që udhëtarët të bllokohen në port.