“Pas emisionit tuaj na ndihmuan me ushqime… u ndjemë mirë, sepse edhe mami mund të hante diçka”

Historia e familjes Hysa të thyen zemrën. Një nënë heroinë që e vetme punon e mban dy fëmijët e saj të mitur, në kushte jashtëzakonisht të vështira. Një sëmundje e rëndë ia mori të shoqin, ndërsa kësaj nëne i mbeti për t’u përballur e vetme me qiranë, kredinë (e marrë për sëmundjen) dhe rritjen e dy fëmijëve.

Denisa e Eduarti janë ende fëmijë 12 e 10 vjeç. Për të fituar disa të holla, të dy fëmijët qepin përditë këpucë. Nëna e tyre edhe bukën e kursen për t’ja dhënë fëmijëve. Historinë e tyre të dhimbshme e transmetuam disa ditë më parë dhe kjo është ajo që na tregojnë fëmijët. Fjalët e Eduartit veçanërisht, janë tejet prekëse.

“Unë të shtunën e pashë emisionin, dhe jam shumë e lumtur që dola aty në televizor. Këtë javë kemi qepur këpuce, kam bërë detyrat e kemi shkuar në shkollë.”-tregoi Denisa.

“Kur e pashë tek emisioni “Shqiptarët për Shqiptarët” që kishte dalë video e jonë, më lindi një shpresë për diçka më të mirë. Mami shqetësohet për ne, mos sëmuremi, sesi do t’ja bëjmë e sesi do të kalojë dita. Ajo nuk ha për vete, që të na japë neve për të ngrënë.

Pas emisionit na kanë marrë në telefon e na kanë thënë se do të na sjellin disa pako ushqimore, për të na ndihmuar. U ndjemë mirë, sepse do të mund të hante dhe mami…”-tha Eduarti.