Pas Rusisë, edhe Bjellorusia e shpall Shqipërinë shtet armik

Qeveria e Bjellorusisë ka miratuar një listë të shteteve jomiqësore që kryejnë veprime jomiqësore kundër republikës. Lista përfshin Australinë, shtetet anëtare të BE-së, Kanadanë, Lihtenshtajnin, Norvegjinë, Zelandën e Re, Shqipërinë, Islandën, Maqedoninë e Veriut, Mbretërinë e Bashkuar, Shtetet e Bashkuara, Malin e Zi, Zvicrën.

Sipas dekretit të qeverisë, vendet po ndërmarrin “veprime jomiqësore kundër subjekteve juridike dhe individëve bjelloruse”. Një ditë më parë, presidenti i Bjellorusisë Alexander Lukashenko nënshkroi gjithashtu një dekret sipas të cilit republika pezullon të gjitha pagesat për banorët e huaj që kryejnë veprime armiqësore ndaj personave juridikë ose individëve bjellorusë. Gjithashtu, dekreti ndalon zbatimin e dokumenteve ekzekutive të nxjerra në favor të këtyre banorëve. Bankave dhe institucioneve të tjera financiare u kërkohet të refuzojnë të pranojnë kërkesat e pavarura të pagesave të paraqitura nga këta banorë.

Më parë, qeveria ruse miratoi më 7 mars një listë të vendeve dhe rajoneve që kanë ndërmarrë veprime jo miqësore kundër Federatës Ruse, kompanive dhe qytetarëve rusë. Lista përfshin Shtetet e Bashkuara, shtetet anëtare të BE-së, Mbretërinë e Bashkuar, Ukrainën, Japoninë dhe disa vende dhe rajone të tjera.