Pasi hynte, shtrihej në të njëjtin shtrat me Enverin dhe përgjumej pranë tij. Ai e pranonte dhe e përkëdhelte…

Isuf Kalo, mjeku personal i Enver Hoxhës ka publikuar librin e tij ku ka rrëfyer sekret e “Blloku”. Kalo ka sjell kujtimet e tij personale në një libër, ku rrëfen raportet me personazhet e kohës, nga diktatori Hoxha tek bashkëshortja e tij Nexhmija Hoxhën, Ramiz Alinë dhe shumë të tjerë që jetonin në zonën e Bllokut.

Pjesë nga LIBRI “Blloku” Nexhmija, përtej pamjes së jashtme

Nuk ishte e lehtë ta njihje Nexhmijen në të gjitha dimensionet dhe veçoritë e saj origjinale, as së jashtmi dhe as së brendshmi, madje kjo e dyta njohja e mendimeve dhe ndjenjave të saj qe edhe më e vështirë. Edhe pse pata rastin të kisha kontakte si mjek me të,

për më shumë se 15 vjet, nuk mund të pretendoj se e njoha dot atë në tërësi dhe hollësi. Aq më pak e patën njohur shqiptarët sa kohë ishte gjallë Enveri. Ata, me sytë të mbërthyera gjatë 40 viteve tek lideri i madh, pak vëmendje dhe interes treguan për të shoqen, si person. Për shumicën e tyre ajo ishte thjesht gruaja e Enverit. Dhe vetëm kaq.

Edhe ajo vetë rrinte disi e tërhequr, duke qëndruar kryesisht në zyrë e në shtëpi. Kishte zgjedhur vullnetarisht të rrinte në hije. Ajo as arriti, por as u përpoq që të fitonte zemrat e shqiptarëve. Ndoshta, sepse i mjaftonte simpatia dhe adhurimi që një numër i madh i njerëzve shprehnin për të shoqin. Por, kur së bashku me të vdiq edhe regjimi i tij, Nexhmijes iu desh që të dilte nga guaska, të bëhej e dukshme dhe aktive, duke u përpjekur t’i bënte njerëzit të besonin se gjithçka e Enverit ruhej e gjallë tek ajo. Mirëpo ishte e vonuar. Pa autoritetin, famën, zërin dhe karizmën e të shoqit ajo vetë nuk ishte as tërheqëse, as e besueshme dhe as bindëse për ta.

Përkundrazi, siç nuk e priste, ajo u bë për pjesën e pakënaqur të popullsisë “tabelë qitjeje”, pasi iu faturuan asaj gabimet dhe padrejtësitë e pushtetit që u përmbys. A e meritonte? A i takonte asaj të paguante, të gjithë ose pjesën kryesore të haraçit të të këqijave që bëri regjimi i kaluar? Në ç’masë, pa qenë personalisht anëtare e organeve të larta partiake e shtetërore, pati realisht gisht ajo në vendimet e marra prej tyre?

Askush tjetër përveç asaj vetë, nuk ka mundësi të dijë të vërtetën. Ajo mund të hamendësohet ose të vlerësohet bazuar në fakte, perceptime ose sipas intuitës së gjithsecilit.

Fajësitë e saj janë bazuar kryesisht mbi faktin e statusit si gruaja e Enverit dhe sidomos në vitet e fundit të jetës, kur ai ishte më i sëmurë.

Me hamendësimin se ajo, edhe pa qenë anëtare e forumeve e strukturave të larta vendimmarrëse, mund të ketë influencuar ose edhe drejtuar vetë në emër të tij. Askush, as unë, nuk e vë dorën në zjarr se kjo absolutisht apo në një masë të caktuar nuk ka ndodhur.

Nexhmija vetë në deklaratat publike dhe në librat me kujtime që ka botuar, i ka mohuar të tilla akuza apo hamendësime, ndërsa fakte ose konfirmime të dokumentuara për to nuk di të jenë dhënë.

Ndërkohë, ish anëtarë të Byrosë Politike, Sekretarë të Parë të partisë në rrethe, ministrat të qeverisë, kryetarë dhe shefa të sigurimit, hetuesisë dhe prokurorisë, fajtorë të sigurtë dhe të njohur me emër dhe mbiemër, si iniciatorë dhe firmëtarë dokumentesh dhe aktesh mizore, çuditërisht përmenden nga media, madje dhe nga vetë viktimat, përciptazi ose shkarazi.

Nexhmije Hoxha Dhe Enver Hoxha1

Ata, meqenëse i shoqi nuk është më gjallë, e derdhin thuajse të gjithë urrejtjen, mllefin dhe fajet për bëmat e mbrapshta të atij regjimi kryesisht e personalisht tek ajo.

Historia di me fakte, me emër dhe mbiemër, se cili person i udhëheqjes së lartë urdhëroi me kokën e tij pushkatimin mizor të 67 ballistëve që u zunë rob në Lushnjë.

Cili propozoi pushkatimin e 22 intelektualëve të pafajshëm në Tiranë për bombën në Ambasadën Ruse, cili propozoi dhe nguli këmbë për kolektivizimin e detyruar të bujqësisë dhe heqjen e tre dynymshit fshatarëve, cili propozoi tufëzimin e bagëtive, cili ndërmori hapin e parë për ndalimin e fesë dhe prishjen e kishave dhe xhamive, cili urdhëroi ndërtimin e 173 mijë bunkerëve, anembanë vendit, cili si kryetar i Komisionit të Internimeve sygjyrnosi me firmën e tij 12500 qytetarë shqiptarë dhe shumë akte të tjera si këto të dënueshme? Disa nga këta autorë thuajse janë ricikluar dhe pasardhësit e tyre vazhdojnë të emërohen në poste qeveritare. Ramizi, i cili pati firmosur ato vendime dhe që i indoktrinoi, me propagandën që drejtoi, mendjet dhe shpirtin e disa brezave radhazi me utopinë e “njeriut të ri”, ishte njëri prej tyre.

Ai, fillimisht, nuk u përmend si fajtor për ato, përkundrazi u promovua për disa kohë në postin më të lartë dhe mandej, u konsiderua si shpëtimtar dhe misionar i frymës së re. Ndërkohë, në sa apo në cilën nga ato keqbërje ka qenë personalisht Nexhmija iniciatore, propozuese ose autore e faktuar? Pa dyshim, ajo i ka pas ditur në mos të gjitha, shumë nga ato padrejtësi që ndodhnin, por nuk u kundërvu direkt, as indirekt për të ndikuar t’i parandalonte a zbuste ato tek i shoqi. Përkundrazi, i pat miratuar me zell prej militanteje, mjafton që ato i pat miratuar më parë Byroja Politike dhe Enveri. Ajo, pa dyshim, ka personalisht pjesën e saj të përgjegjësisë, por jo të gjithë përgjegjësinë, as pjesën më të madhe të saj. Ramizi e dinte mirë këtë, por nuk e tha. Përkundrazi, thuhej se fshehtas pati dhe ai vetë gisht në to, fajësime dhe demonizime që u gjeneruan dhe u përhapën për Nexhmijen.

Në periudhën e ndërrimit të sistemit, mbase atij iu desh që në opinionin e njerëzve të bëhej Nexhmija kurban në vend të tij, si kryefajtore, pavarësisht se ishte ai që pati pozitë më të lartë dhe përgjegjësi më të mëdha sesa ajo në hierarkinë vendimmarrëse të regjimit që u shemb.

U desh që fajet e regjimit dhe ish-titullarëve të tij të shkriheshin si skrap në zjarrin e urrejtjes popullore për të krijuar me to “kuçedrën Nexhmije”, si simboli i të gjitha të këqijave të diktaturës dhe fajtorja kryesore, në mos e vetme e saj.

Në mungesë të Enverit, përqendrimi dhe personalizimi i gabimeve dhe fajeve të regjimit komunist tek e veja e tij, sikur ajo qenkej njësoj përgjegjëse sa ai, apo dhe më shumë se sa ai, ndoshta u desh për t’i ruajtur dhe shpëtuar përkohësisht imazhin e Ramizit, si “e keqe e nevojshme dhe shpresuese”, në atë periudhë ndryshimesh vështira.

Në fakt, Enveri nuk e pat njësuar ndonjëherë të shoqen me veten. Ai ishte autoritar. Hijerëndë. Por nuk ishte “burrë grash” as “lolo” lehtësisht i influencueshëm. Ai imponohej me një shikim. Me një mbledhje të vetullave dhe rrudhave në ballë. Ndonjëherë me buzëqeshje, pa fjalë. Me heshtje. “Burrëria tradicionale” e meshkujve shqiptarë me nuanca mazohizmi ishin të shfaqura krenarisht dukshëm në mënyrën e tij të sjelljes.

Gjatë viteve në kontakt direkt, as unë, si mjek personal i tij, nuk u çlirova dot nga ndjenja e ndrojtjes dhe e përgjegjësisë që më pushtonte në çdo takim me të. Ai rrezatonte autoritet, prandaj as guxova të ndaja me iniciativën time me të ndonjë mendim, shqetësim apo ta ndikoja në ndonjë drejtim, jashtë kuadrit të detyrës sime profesionale.

Nexhmija dhe të gjithë vartësit e tjerë e kishin pranuar me përulje supremacinë e tij të plotfuqishme. Mendimet, sugjerimet, dëshirat dhe vendimet e Enverit ishin për të gjithë ata, përfshi edhe Nexhmijen ose, më saktë, në radhë të parë për Nexhmijen, tabu. Diferenca e moshës prej 13 vjetësh me Enverin, brishtësia fizike e karakteriale e saj pati vulosur që në ditën e parë të njohjes së tyre kompleksin e adhurimit dhe nënshtrimit të përhershëm të saj ndaj burrërisë, vendosmërisë dhe guximit të Enverit, si vendimmarrës i pakundërshtueshëm, që imponohej me bindjen se kishte gjithmonë të drejtë. Kjo nuk përjashton të ketë pasur sukses edhe ajo, si të gjitha gratë, në rolin e “zogut të natës”, për t’i vënë në vesh dhe marrë prej të shoqit miratime për nevoja, çështje apo plane të jetës familjare apo personale të saj. Por me shumë pak mundësi për çështje shtetërore.