Peceta me të cilën Messi fshiu lotët, del në shitje për një shifër të frikshme

Një nga momentet që bëri xhiron e rrjetit pas largimit të Messi-t nga Barcelona, ishte kur futbollisti shpërtheu në lot gjatë konferencës për shtyp. Ai nuk i përmbajti emocionet dhe menjëherë nisi të përlotej sapo doli para gazetarëve për të folur. Në ato momente, bashkëshortja e tij, Antonela Rocuzzo, i dha Messi-t një pecetë për të fshirë lotët.

Por ajo që i ka habitur të gjithë së fundmi, është fakti se kjo pecetë është nxjerrë në ankand. Lajmin për shitjen e saj e kanë bërë të ditur mediat spanjolle. Shuma fillestare e pecetës është 1 milion dollarë. Një nga fansat e yllit argjentinas donte që të përfitonte nga shitja e pecetës, të cilën Messi e la mbi tavolinën ku ishin vendosur mikrofonat gjatë konferencës për shtyp. Personi në fjalë e ka marrë pecetën dhe e ka nxjerrë në shitje për 1 milion dollarë në një nga faqet më të njohura spanjolle.

Në përshkrimin e produktit thuhet se peceta përmban materialin gjenetik të Messi-t dhe se mund të përdoret në të ardhmen për të klonuar futbollistin. Gjithashtu thuhet se peceta është e rrudhosur, por në gjendje të mirë.

Kujtojmë se vetëm pak ditë më parë, Lionel Messi u konfirmua si futbollisto më i ri i PSG-së.